Në Komunën e Gjilanit këtë vit do të mbahet olimpiada mbarëkombëtare shqiptare në matematikë, e 23-ta me radhë, në të cilën do të marrin pjesë nxënësit më të mirë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se Gjilani do të jetë mikëpritës dhe organizator i kësaj ngjarje, ku Gjilani do të vërshohet nga nxënësit më të mirë në lëndën e matematikës në nivelin mbarkombëtar shqiptarë.
“Gjilani është duke përparuar jashtëzakonisht shumë në fushën e shkencave natyrore dhe për këtë duhet të falënderohen për punën e tyre nxënësit dhe mësimdhënësit. Për disa vite me radhë ne kemi garuesit tanë fitues në nivel Republike, por edhe në nivel mbarkombëtar. Përkushtimi ynë është ngritja e cilësisë në arsim dhe atë po punojmë bashkërisht që të arrijmë rezultate. Si Komunë nikoqire e kësaj gare për vitin 2017, do të punojmë që gjithçka të shkoj mirë dhe gjithnjë në funksion të mbështetjes së kuadrove më të mira, nga lënda e matematikës dhe të gjitha lëndët tjera”, ka thënë kryetari Haziri, duke përgëzuar shoqatën iniciatore nga Tetova.
Ndërsa kryetari i shoqatës “Paskal”, nga Komuna e Tetovës, Agim Buklla, i shoqëruar edhe nga kryeredaktori i revistës “Plus”, Nexhat Kasa, dhe shtëpisë botuese “Matriks”, Tavxhedin Rexhepi, ka thënë se Gjilani në vitin 2005 ka organizuar në mënyrën më madhështore deri më tani olimpiadën mbarkombëtare.
Ata më tej kanë garantuar se sa i përket përgatitjeve për garën, janë të angazhuar maksimalisht që gjithçka të shkoj si duhet. Poashtu, ata kanë njoftuar se në këtë garë numri i nxënësve do të jetë nga 120 deri në 150 nxënës nga të gjitha trevat shqiptare, me qëllimin e vetëm mbështetja e nxënësve në fushën e avancimit në matematikë.