Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, toger Nysret Buzhala, këshilltar ushtarak i komandantit të Forcës Tokësore të FSK-së u shpall studenti më i mirë ndërkombëtar, në trajnimin “Kapiten Karriere” që realizohet nga Shkolla e Forcave Speciale “John F. Kennnedy”, të Ushtrisë së SHBA-ve.
Pasi mori vlerësime të larta, gjithashtu arriti të jetë në Listën e Komandantit, duke u radhitur i pesti në këtë listë ku përfshiheshin të gjithë studentët përfshirë edhe ata të Ushtrisë amerikane.
Toger Buzhala gjatë shkollimit ka treguar performancë të shkëlqyer në të gjitha fazat e shkollimit si: Analizat regjionale, kursin kualifikues për marrëdhënie civile, trajnimin “Kapiten Karriere” si dhe në ushtrimin përmbyllës “Culmination Exercise”, duke u renditur si njëri nga studentët me vlerësimet më të larta.
Si rezultat i performancës së lartë, pas përfundimit të trajnimit, toger Nysret Buzhala u dekorua me medaljen e meritave “Commendation Medal” për periudhën kohore nëntor 2016-nëntor 2017.