Gjatë ditës së sotme, në zyret e Odës së Afarizmit të Kosovës u pritën në takim zyrtaret nga sektori i zhvillimit ekonomik në Ambasadën Britaneze, Semra Tyrbedar Citaku dhe Loreta Buzhala.
Kryetari i bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes OAK-së dhe Ambasadës Britaneze në mënyrë që të merren praktikat më të mira të zhvillimit dhe të implementohen edhe në vendin tonë duke shërbyer si udhërrëfyes.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit sa i përket bizneseve të Kosovës me ato të Britanisë dhe ofrimi i përkrahjes në çështje me interes të përgjithshëm.
Krasniqi e konsideroi shumë të rëndësishme iniciativën për krijimin e kushteve më të mira të të bërit biznes në Kosovë duke shtuar se problemet me infrastrukturën ligjore janë faktori kryesor i ngecjes së zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjithashtu, Krasniqi potencoi disa nga çështjet më aktuale që OAK është duke trajtuar dhe theksoi që tashmë një kohë oda po merret me ligjin e punës dhe ligjin e pushimit të lehonisë si çështje shumë të rëndësishme çoftë të sektorit publik ashtu edhe atij privat, duke kërkuar përkrahje dhe sugjerime sa i përket kësaj fushe.
Citaku përgëzoi odën për veprimtarinë e saj dhe për lobimin në ndryshimet në ligjet të cilat janë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit, duke konsideruar që në këtë mënyrë mund të arrihet deri tek përmirësimi i kushteve.
Përfaqësueset e Ambasadës Britaneze u shprehën të gatshme për bashkëpunim dhe për të kontribuar në ato fusha që ndërlidhen me domenin e kësaj Ambasade në mënyrë që bashkarisht të ndikojmë në përmirësimin e kushteve të të bërit biznes në vend.
Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqesua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, koordinatorja Qendresa Ibrahimi dhe zyrtarja Rreze Cana.