Me qëllim të avancimit të bashkëpunimit edhe në fushën e edukimit, në lëminë e shkencave mjekësore, si dhe të bashkëpunimit në fushën e menaxhimit shëndetësor, gjatë kësaj jave do të qëndrojë në Kosovë, Douglas Fiore, Presidenti i kolegjit të shkencave mjekësore “Mercy College”, nga shteti amerikan i Iowas.
Nën koordinimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Dr. Fiore do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve të shtetit të Kosovës, por edhe me përfaqësues të institucioneve publike dhe private të edukimit dhe kujdesit shëndetësor. Me qëllim të identifikimit të mënyrave të bashkëpunimit dhe ofrimit të mbështetjes në fushën e menaxhimit të institucioneve shëndetësore nga shteti i Iowas, Dr. Fiore do të takojë Ministrin e Shëndetësisë, Ministrin e Arsimit, Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, përfaqësuesit e Komunës së Shtrpcës, drejtuesit e Fondacionit Jahjaga, institucionet publike të kujdesit shëndetësorë, Spitalin Amerikan, Klinikën Amerikane, dhe kompaninë farmaceutike Trepharm.
Ndërsa me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në fushën akademike, ai do të takojë rektorin e Universitetit të Prishtinës, por edhe përfaqësuesit e kolegjeve private në Kosovë, si AAB, UBT, dhe Heimerer.
Në të njëjtën kohë, nga 23 deri më 30 shtator, në Kosovë do të qëndrojë edhe një delegacion prej rreth 12 studentësh dhe arsimtarësh nga pesë shkolla të ndryshme të Iowas, në kuadër të programit FFA që u jep studentëve dhe arsimtarëve mundësinë e eksplorimit të praktikave dhe kulturave të ndryshme bujqësore përreth botës.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i vlerëson vizitat e tilla si hapa konkretë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Iowas, edhe në fusha të tjera përtej asaj ushtarake, derisa këto vizita që pasojnë atë të një delegacioni prej rreth 50 personash nga Iowa në muajin maj, janë poashtu të mirëpritura edhe në aspektin e promovimit të Kosovës, para qytetarëve dhe organizatave amerikane.