Me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira, delegacioni i Odës së Afarizmit të Kosovës realizoi takime me disa nga Institucionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës realizuan takime teknike me delegacionet nga Ministria e Ekonomisë kryesuar nga Sekretarja e Shtetit Razmena Cekic, Ministria e Financave, kryesuar nga Këshilltarja Speciale Magdalena Simonovska, Ministria e Drejtësisë kryesuar nga Shefja e Kabinetit Aleksandra Vukovi dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave në Republikën e Maqedonisë së Veriut kryesuar nga Shefi i Kabinetit Dritan Ramadani.
Takimet u realizuan me qëllim të shkëmbimit të përvojave në digasteret ku Maqedonia e Veriut ka avancuar më shumë, në mënyrë që këto praktika të analizohen dhe sipas nevojës të përpunohen ashtu që të bëhen më lehtë të adaptueshme për vendin tonë. OAK konsideron që bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i informatave me njëri – tjetrin, janë një nga mënyrat se si mund të arrijmë të gjithë të zhvillohemi së bashku.
Këto takime u realizuan nën organizimin e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, ku në takime u bashkangjitën në delegacion edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut Vlorat Gashi dhe Përfaqësuesi nga Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut Trajce Rushev. /2LONLINE.com/