Rritja e bashkëpunimit dhe krijimi i kanaleve të komunikimit për të siguruar përkrahje të bizneseve ishin qëllimi kryesor i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me kryetarin e Komunës së Ferizaj-it Agim Aliu dhe Zëvendësministrin dhe koordinatorin e Këshillit ndërdrejtorial për Zhvillim Ekonomik në komunën e Ferizaj-it Mustafë Grainca.
Mungesa e ligjeve dhe prania e disa ligjeve të pazbatueshme po pengon investimet në vend, tha kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi. Krasniqi shtoi që bashkëpunimi ndërmjet OAK-së dhe Komunave është i domosdoshëm, pasiqë kështu më lehtë identifikohen problemet dhe arrihet deri tek përmirësimi i tyre.
Kryetari Aliu fillimisht falënderoi Odën e Afarizmit të Kosovës për vizitën dhe shtoi që problemi më i madh për bizneset në Kosovë është niveli i lartë i krimit dhe korrupsionit, prania e të cilave po bënë që të largohen edhe investitorët e huaj.
Sipas Aliut vendet fqinje po gjejnë mënyra të ndryshme për të tërhjek investitorët e huaj, ndërsa tek ne po ndodh e kundërta dhe se për të përmirësuar gjendjen momentale fillimisht duhet të krijohen drejtime të reja për shkolla, pasiqë momentalisht kemi shumë punëtor të kualifikuar në drejtime joadekuate dhe se përveç kësaj duhet të punohet edhe në përmirësim të kulturës së punës.
Sipas Mustafë Graincës, Zëvendësministër i Financave, ligji për Partneritet Publik-Privat nuk po gjenë zbatim në komuna dhe është e domosdoshme të bëhet lehtësimi i këtij ligji. Ai gjithashtu njoftoi që Komuna e Ferizajit nuk ka taksë për ushtrim të veprimtarisë, ka vetëm tatim në pronë e cila po pritet të zbritet me qëllim të krijimit të një ambienti më të favorshëm për bizneset.
Oda e Afarizmit të Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi dhe zyrtarja Mirjeta Shala.