Koordinimi më i madh mes bizneseve dhe deputetëve si dhe rritja e bashkëpunimit me qëllim të iniciativave të përbashkëta ligjore e ndryshim plotësimit të atyre që kanë mbetur në procedurë ishte qëllimi i takimit të përfaqësuesve të OAK-së me shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendojse (LVV) Rexhep Selimi dhe deputetet Mimoza Kusari e Arberesha Kryeziu- Hyseni.
Gjatë këtij takimi u shpalosën iniciativat për të cilat OAK është duke lobuar tash e një kohë dhe rekomandimet të cilat ka përcjellur tek institucionet relevante me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës ligjore dhe krijimin e kushteve më të mira të të bërit biznes në vend, në mënyrë që të përkrahen bizneset dhe rriten investimet.
Theks i veçantë iu kushtua kontributit të odës me qëllim që të kemi një Ligj më të mirë të Punës dhe rregullimit të çështjes së Pushimit të Lehonisë, mungesës së Ligjit për Tregti të Brendshme, funksionalizimi i të cilit do të kontribuonte në masë të madhe në rregullimin e tregut të brendshëm, Ligji për Investime Strategjike, rëndësia e aftësimit profesional në koordinim me nevojat e tregut të punës, e çështja e pamundësisë së eksportit të produkteve me origjinë shtazore.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e përfshirjes së komunitetit të biznesit në grupe punuese si grup interesi në mënyrë që bashkarisht të diskutohen të gjitha idetë, efektet dhe kundërefektet qysh në fazat e hershme të inicimit të ligjeve apo ndryshim/plotësimit të tyre.
Shefi i grupit të LVV Rexhep Selimi falënderoi përfaqësuesit e OAK-së për takimin konstruktiv dhe ndarjen e ideve praktike për çështjet me interes të përbashket, duke theksuar që janë të interesuar si grup që të inicojnë nisma legjislative duke bashkëpunuar ngushtë edhe me odat e biznesit. Selimi shtoi që grupi të cilin përfaqëson është i gatshëm për të punuar së bashku në krijimin dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe ekonomike të vendit.
Kurse Deputetja Mimoza Kusari shprehu gatishmëri për bashkëpunim të ndërsjelltë në komisionet parlamentare dhe grupet punuese ku ajo bënë pjesë, për koordinim reciprok rreth shkëmbimit të ideve lidhur me nismat e caktuara nga ato komisione.
Ndërsa Deputetja Arberesha Kryeziu – Hyseni falënderoi OAK-në për çështjet e ngritura dhe theksoi që shumë prej tyre janë edhe prioritete të këtij grupi parlamentar.
Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi – kryetar i bordit, Diamant Elshani – sekretar, Hasan Gigollaj anëtar i bordit dhe Qendresa Ibrahimi – koordinatore.