Pingpongistja e re Lenë Osmani, ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me Komitetin Olimpik të Kosovës, duke u bërë bursiste e këtij komiteti, ngase Lena konsiderohet shpresë olimpike.
Ditë më parë, kjo pingpongiste që garon për ekipin KPP Prishtina ishte shpallur pingpongistja më e mirë në Kosovë për kategoritë U17 dhe U19, kurse për vite me radhë ajo është kampione në nivel vendi dhe fituese e shumë medaljeve, kupave e mirënjohjeve në Kosovë dhe në gara ndërkombëtare.
Lenë Osmani, që është nxënëse maturante në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është shprehur shumë e lumtur për këtë vlerësim që i është bërë, duke theksuar se kjo bursë është një motiv shtesë për punë të mëtejme dhe se besimin që i është dhënë nga Komiteti Olimpik i Kosovës do t’a kthejë me suksese edhe më të mëdha, duke u munduar që në të ardhmen sukseset e saja të shtrihen edhe në nivel ndërkombëtar, duke u munduar që në të sigurojë edhe normën olimpike.
Falë punës së trajnerit të saj, Feat Osmani, kjo lojtare tejet e talentuar dhe e përkushtuar në punë, çdo ditë e më tepër po dëshmohet në Kosovë dhe jashtë saj, andaj plotësisht e ka merituar këtë bursë. /2LONLINE/