/2L ONLINE/ – Parandalimi i dëmeve në jetën e qytetarëve është prioritet i institucioneve shtetërore Strukturat e emergjencës dhe të sigurisë në Gjilan kanë realizuar të premten një ushtrim për mënyrat e reagimit në një tërmet të simuluar, në hapësirat e shkollës “Abaz Ajeti”.
Në këtë ushtrim, pos Drejtorisë së Arsimit dhe asaj të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Zjarrfikësve, Kryqit të Kuq, emergjencës, kanë marrë pjesë edhe nxënësit dhe personeli i shkollës, duke demonstruar veprimet që duhet të ndërmerren në një rast tërmeti. Tavolina organizuese ishte e përbërë nga sektori i sigurisë, planifikimit, incidenteve, shpëtimit, informimit.
Në një gjendje simulimi, një pjesë e nxënësve të shkollës kanë dalë jashtë, disa kanë pësuar lëndime, kurse një pjesë tjetër janë ngujuar brenda. Në këto rrethana, strukturat e emergjencës dhe të sigurisë, shikuan mundësinë e intervenimit sa më të shpejtë, për të shpëtuar jetët e fëmijëve.
Drejtori i shkollës, Arsim Bejtullahu, ka thënë se ky është një ushtrim jashtëzakonisht i mirë, sepse po informohen nxënësit dhe përmes tyre edhe familjet se si të veprohet në një rast tërmeti, ku ka panik, lëndime, por ka edhe njerëz që mund të mbesin nën rrënoja. Është me shumë rëndësi që stafi ynë, nxënësit dhe prindërit e përfshirë në këtë ushtrim, të dinë se si të veprojnë në këto raste të vështira.
Është për ta falënderuar punën e madhe që është bërë me të gjithë akterët në këtë proces. Është shumë mirë që kemi marrë për detyrë për ta realizuar këtë ushtrim, sepse të gjithë e dimë se Gjilani ndodhet në një zonë me ndjeshmëri sizmike.
Përfaqësuesit e drejtorisë për Mbrojtjes dhe Shpëtimit, u ndanë të kënaqur me të arriturat e stafit të shkollës mbi menaxhimin e situatës në rast tërmeti. /I. A/