Nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të hënën do t’i kenë librat në gjuhën shqipe. Nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të hënën do t’i kenë librat në gjuhën shqipe, ka thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Nxënësit e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë paralajmëruar se të hënën, ditën e parë të vitit të ri shkollor, do të pezullojnë mësimin nga ora 10 deri në orën 12, për shkak të mungesës së librave në gjuhën amtare.
Kështu kanë vendosur përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtetin lokal dhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme.
Ata kanë thënë se, në këtë mënyrë, duan t’u dërgojnë mesazh autoriteteve në Beograd, të cilat përsëri kanë shkelur premtimet e tyre se për nxënësit shqiptarë do të përgatiten me kohë tekstet për ato lëndë që mungojnë.
Megjithatë, siç raporton REL në gjuhën serbe, nga Ministra e Arsimit e Serbisë ka ardhur informacioni se ministri Srxhan Verbiq, ditën e parë të shkollës, nga ora 8 deri në 10, filloristëve, edhe serbë, edhe shqiptarë në Bujanoc, do t’iu ndajë libra falas.