Drejtori i Arsimit, Bujar Nevzati, tha se nga 24608 nxënës, sa ka komuna e Gjilanit, me të cilët punojnë 1459 mësimdhënës dhe mësimi zhvillohet në katër gjuhë, me sukses pozitiv kanë dalë 92.7 për qind e nxënësve, por pa i llogaritur këtu shkollat me mësim në gjuhën serbe, të cilat nuk i kanë dërguar të dhënat e tyre.
Ai tha se në shkollimin e ciklit të ulët me sukses pozitiv kanë dalë mbi 99 për qind, në shkollimin e mesëm të ulët, 97.7 për qind dhe në shkollimin e mesëm të lartë mbi 79 për qind.
Duke folur për konkursin e shpallur për drejtorë të shkollave, drejtori Nevzati tha se së shpejti do të publikohen emrat e nëntë drejtorëve për shkolla fillore dhe të mesme, ndërkohë që do të rishpallet konkursi do të rishpallet në tetë shkolla për pozitën e drejtorit pasi nuk ka pasur konkurrent të mjaftueshëm ashtu siç e parasheh ligji.
Sa i përket hapësirës shkollore, drejtori Nevzati, tha se në ndërtime sipër janë katër shkolla, tri fillore dhe një e mesme dhe dy anekse me të cilat nxënësve gjilanas u krijohet hapësirë e mjaftueshme shkollore dhe mundësohet mësim në dy ndërrime./2lonline/