Partia Socialdemokrate (PSD) ka vazhduar me iniciativën e saj edhe në Gjilan, për mbledhjen e nënshkrimeve për peticion, që ka të bëjë me faljen e gjobave të pandemisë.
Sekretari Organizativ i PSD-së, Nol Nushi i ka thënë Portalit 2LONLINE.com, se peticioni në fjalë po merr mbështetje të madhe edhe nga qytetarët e Gjilanit.
“Me thënë të drejtën pas Prishtinës, Gjilani ndoshta është prej qendrave të mëdha ku jemi pritur më së miri, pasi vetëm për pak orë, i kemi mbledhur mbi 500 nënshkrime, që është shumë rezultat i mirë dhe i kënaqshëm”, ka thënë Nushi.
Ai shtoi se duke i llogaritur edhe këto nënshkrime në Gjilan deri në fund të ditës pret ti kenë diku 6 mijë nënshkrime, që i bije 60 përqind e punës së nevojshme, për me e dërgua ligjin në Kuvend.
“Ideja jonë është që të shkojmë në secilin qytet të Kosovë, nesër jemi në Drenas, pasnesër në Kamenicë, të shtunën në Ferizaj. Pra, për çdo ditë të javës do të jemi në një qytet derisa sa t’i kryejmë të gjitha qytetet, pavarësisht arritjes së numrit të duhur edhe më herët, sepse duam t’i japim mundësinë secilit qytetarë ta nënshkruaj peticionin”, ka thënë tutje Nushi, transmeton 2LONLINE.com/
Ai shtoi se nëse shkon puna me këtë ritëm, brenda muajit qershor peticionin do të jetë në agjendën e Kuvendit, në kuptimin që do të futet aty, e pastaj i kalon kryesisë së Kuvendit që do ta caktojë datën kur do të përfshihet në seancë .
“Unë besoj se peticioni ka me arrit efektin e dëshiruar sepse nuk ka kuptim të jetë ndryshe. Nuk ka asnjë kuptim që deputetët e Kuvendit të votojnë që t’i ndahen serbeve në veri 11 milion euro për pagesën e rrymës, e të mos i falin gjobat e pandemisë të cilat nuk i kanë respektuar as vet qeveritarët që kanë vendos”, ka thënë Nushii PSD-së.
Përndryshe, ai i ka ftuar të gjithë qytetarët, kudo që e shohin tendën, të interesohen dhe ta nënshkruajnë peticionin sepse është me rëndësi nismat e qytetarëve të përkrahen sa më shumë dhe të mos mbetet vetëm në dorën e deputetëve kjo punë, por edhe qytetarët të organizohen vet dhe ta rregullojnë situatën. /2LONLINE.com/