Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) sot gjatë mbledhjes së rregullt ka folur për situatën e krijuar në vend nga pandemia e virusit COVID-19.
Gjatë këtij takimi Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka potencuar se deri me tani në këtë komunë nga 53 qytetarë të prekur me koronavirus janë shëruar 42 prej tyre.
Ai potencoi se 6 qytetarë të kësaj komune janë të hospitalizuar por në gjendje të mirë shëndetësore ndërkaq pjesa e mbetur janë të izoluar në shtëpitë e tyre me familjarët.
Haliti tha se në bazë të rezultateve të publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ( IKSHPK) mbrëmë 14 persona janë testuar për herë të parë dhe 2 persona janë ritestuar dhe të gjithë kanë rezultuar negativ mbi virusin COVID-19.
“Numri i të shëruarave në komunën tonë është rritur, fatmirësisht nuk kemi pasur asnjë rast të vdekjes së qytetarëve tanë nga virusi COVID-19. Urojmë që edhe qytetarët e tjerë të shërohen sa më parë dhe që Vitia të ju kthehet gradualisht normalitetit”, u shpreh Haliti.
Ai shtoi se kjo komunë vazhdimisht është kujdesur dhe po kujdeset që ky virus të mos përhapet edhe më shumë dhe kërkoj nga qytetarët që të respektojnë udhëzimet e ekspertëve.
Ndërkaq gjatë këtij takimi u bë me dije se Ministria e Shëndetësisë ka dërguar serish një vendim ku fshatrat Ramjan, Stubëll e Epërme, Pozheran, Goshicë dhe Rruga “UÇK” në Viti janë shpallur vatra të përhapjes së infeksionit edhe pse sipas rezultateve të IKSHPK-së qytetarët që më parë kanë rezultuar pozitiv për COVID-19 në lokalitetet Viti, Skifteraj dhe Goshicë janë shëruar.
Ndërkaq Drejtoresha e QKMF-së në Viti, Dr. Vjollca Kadolli-Halili bëri me dije se sot pritet ritestimi edhe i 7 qytetarëve të kësaj komune.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, i cili ka bashkëbiseduar për KKMSH-në për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve në mesin e tyre edhe për vendimin për mbikëqyrjen e shtuar të vendbanimeve që janë shpallur vatëra të përhapjes së infeksionit nga MSH-ja.