Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, ashtu siç kanë paraparë zyrtarë të Serbisë, që në Kosovë të hapen 90 vendvotime.
Zëvendskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri tha se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë. Ajo tha se marrëveshja për normalizim e Brukselit, i ka dhënë fund çdo ndërhyrjeje të Serbisë në punë të brendshme të Kosovës. Ndërkohë analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend, e konsiderojnë shkelje të kushtetutës çfarëdo forme të votimit në Kosovë për ata qytetarët që kanë dyshtetësi.
Tahiri deklaroi për Radio Kosovën se Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u jep fund ndërhyrjeve të shtetit serb në punët e brendshme të Kosovës.
“Përfundimisht Serbia nuk mund të organizojë zjgedhje në Kosovë. Marrëveshja e normalizimit e arritur në bruksel definitivisht i ka dhënë fund çfarëdo ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës”.
Ajo tha se me Kushtetutë parashihet që qytetarët të kenë dyshtetesi andaj, ju mundësohet qytetarëve serb me dy shtetësi të votojnë, por vetëm përmes modaliteteve teknike që mundësohen nga OSBE-ja.
Megjithëkëtë zyrtarë të misionit të OSBE-së në Kosovë thonë se ende nuk kanë marr ndonjë kërkesë zyrtare për lehtësimin e këtij procesi. Në anën tjetër kryetari i Komisionit republikan për zgjedhje në Serbi, Dejan Gjurgjeviç deklaroi se në Kosovë do të votohet në 90 vendvotime dhe se Këshillin zgjedhor do ta përbëjnë tre anëtarë.