Trajneri i SC Gjilanit, Ardian Nuhiu është paraqitur para mediave në konferencën për shtyp të thirrur në prag sfidës kampionale ndaj Malishevës. Ai foli për rëndësinë e ndeshjes dhe për cilësitë e ekipit kundërshtar, i cili jo rastësisht po kalon në një formë mjaft të mirë në këtë fillim kampionati dhe jo rastësisht ishte pjesë e garave evropiane edicionin që lëmë pas.
“Ndeshje e fortë përballë një kundërshtari i cili vitin e kaluar mori pjesë në garat evropiane. Janë rritur shumë në dy vitet e fundit dhe mbi të gjitha po luajnë një futboll shumë të mirë. Po takohen dy skuadra të forta, pasi që edhe ne kemi kualitet dhe potencialet tona. Kërkoj nga futbollistët të përsëritin gjërat e mira nga ndeshja e fundit dhe normalisht të shtojmë elemente të reja në varësi të kundërshtarit. Ndeshja duhet trajtuar me shumë seriozitet, disiplinë taktike dhe pres shumë luftë”, potencoi fillimisht Nuhiu.
Nuhiu është ndalur të flas edhe për duelin e fundit kampional, të cilin futbollistët e tij e triumfuan me shumë meritë.
“I kënaqur nga ndeshja e fundit me atë se çfarë treguan futbollistët dhe për më tepër që nuk pranuam gol dhe nuk e lejuam kundërshtarin të na godasë portën. Do të mundohemi që ti përsërisim gjërat e mira dhe të shtojmë elemente për të sulmuar kundërshtarin në pikat ku është e mundur”, deklaroi i pari i stolit gjilanas.
Ekipit i duhet kohë për të dëshmuar forcën që ka
I pyetur për forcën e grupit dhe synimet që ka klubi tekniku i kuqebardhëve ka thënë se e ka të qartë të ardhmen e tyre, vetëm se kërkon kohë më tepër për futbollistët.
“Shoh shumë forcë te ky ekip. Këtë grup e shoh shumë lartë, vetëm se duhet kohë, jo për t’u arsyetuar, mirëpo për ta njohur edhe më shumë njëri tjetrin, pasi që futbolli do kohë. Momentin që ky ekip do të jetë gjatë së bashku jam i bindur që do t’i shohim shumë lartë” ka thënë Nuhiu.
“Synimet janë madhore. Numërimin nuk do ta bëjmë tani, as nuk do ta bëjmë në mes, por do t’ia lëmë kohës dhe në fund do të shohim se ku do jetë ekipi”, deklaroi ndër të tjerash Nuhiu.
Gjithë futbollistët priten të jenë në dispozicion të kryetrajnerit Nuhiu, i cili ka një mesazh për gjithësecilin.
“Të gjithë futbollistët janë në dispozicion dhe më mbetet mua që ta bëj përzgjedhjen. Të gjithë futbollistët janë të rëndësishëm, qoftë edhe ai që merr pesë minuta për të luajtur”, tha ai.
Në fund Nuhiu ka folur edhe për lëndimet e futbollistëve të cilët po vijnë si pasojë e fushave sintetike.
“Më dhimbsen futbollistët, të cilët po e vuajnë shumë. Po shoh që në skuadrat tjera ka futbollistë të lënduar dhe më vjen keq shumë sinqerisht. Në ekipin tonë nuk ka ndonjë lëndim fatmirësisht dhe shpresojmë që nuk do të ketë”, tha trajneri skuadrës kuq e bardh.
Malisheva dhe Gjilani takohen këtë të diel më 22 Shtator në “Liman Gegaj” me fillim nga ora 15:00. /2LONLINE/