Në prag të ndeshjes së dytë, FC Drita – KF Dukagjini, kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu dhe futbollisti Almir Kryeziu, u deklaruan për media rreth përgatitjeve dhe pritshmëritë për ndeshjen e nesërme.
Në këtë rast, trajneri Nuhiu theksoi se kanë bërë përgatitjet dhe e presin një kundërshtar aspak të lehtë
“Kishin kohën e mjaftueshme për ta analizuar kundërshtarin, në vecanti mënyrën se si ata sulmojnë në vijën e parë të sulmit. Gjithashtu, jemi munduar të gjejmë pikat e tyre të dobëta e të gjejmë hapësirat për t’i shfrytëzuar. Kemi përgatitur ndeshjen për ta fituar dhe të mundohemi që planin tonë të përgatitur ta zbatojmë në mënyrën më perfekte nesër. Kemi analizuar në detajet më të vogla, jemi përgatitur edhe për kujdes por të shfrytëzojmë edhe armët tona për të marr maksimumin. Të jemi vetëvetja dhe të kthehemi te fitorja”, ka thënë Nuhiu.
“Na pret një ndeshje e vështirë, pasi KF Dukagjini ka lojtarë shumë cilësorë dhe me përvojë. Gjatë kësaj jave kemi analizuar kundërshtarin dhe kishim kohë edhe për përgatitje, prandaj presim fitore”, ka thënë nga ana e tij futbollisti Almir Kryeziu.
Përndryshe, trajneri Ardian Nuhiu theksoi se objektivi i Dritës do të jetë kreu i tabelës dhe rezultatet pozitive ndeshje për ndeshje.
“Nuk ka kundërshtar të lehtë, sepse nga viti në vit po e shohim kampionatin duke u rritur dhe këtë e dëshmojnë rezultatet e skuadrave tona në Evropë. Nuk ka skuadër të dobët, duhet qasje maksimale ndaj cdo kundërshtari nëse do të bësh më të mirën”, ka përfunduar Nuhiu.
Trajneri Nuhiu dhe futbollisti Kryeziu u pyetën për rivalët direkt për titull, gjersa theksuan se ata mund të jenë Ballkani, Gjilani, Prishtina e Llapi, por pse jo edhe ndonjë skuadër tjetër që tregon formë në kampionatin e ri 2022/2023. /2LONLINE/