Kryetrajneri I SC Gjilanit, Ardian Nuhiu ka bërë thirrje nga dhoma e shtypit para gazetarëve që të jenë me këmbë në tokë dhe të ketë përqendrim dhe vlerësim maksimal për ndeshjen e radhës ndaj Ferizajt.
Kryetrajneri i skuadrës kuq e bardh tha se është i vetëdijshëm për rëndësinë e pikëve nga ky takim dhe kërkon nga futbollistët që të ketë angazhim maksimal dhe këmbëngulësi.
“Na pret një përballje e vështirë ndaj një ekipi që u ka shkaktuar shumë problemeve thuajse gjitha skuadrave në këtë edicion. Ata mbrohen mirë si grup dhe sulmojnë si grup. Ne kemi përgatitur ndeshjen për t’u ballafaquar me një kundërshtar të tillë. Kërkoj që në këtë përballje të futemi me vlerësim, përqendrim maksimal dhe këmbëngulësi për ta fituar këtë takim”, tha Nuhiu.
Motivimi?!
“Do ta shohim ndeshjen e nesërme. Gjithë lojtarët e dijnë rëndësinë se çfarë do të thotë të fitosh një ndeshje derbi. Ne duhet të shkojmë dhe të tregojmë nesër që kjo fitore nuk ishte e rastësishme. Brenda skuadrës ka kualitet për ta fituar çdo kundërshtar dhe këtë e treguam edhe njëherë ndeshjen e kaluar. Besoj fuqishëm që do të kemi çasje super serioze dhe fitorja e kaluar të jetë një shtytje për të vazhduar ecurinë pozitive edhe në ndeshjen e radhës”, ka thënë kryetrajneri i skuadrës gjilanase, Ardian Nuhiu.
Ballafaqimi ndërmjet Ferizajt dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën në stadiumin ndihmës në Ferizaj me fillim nga ora 13:00. /2LONLINE/