Novobërdë – (2LONLINE) – Me iniciativën dhe organizimin nga Këshilltarët për Qeverisje Lokale nga CDF, në komunën e Novobërdës dhe Junikut, Vjollca Behluli dhe Ibrahim Kryeziu, zyrtarët nga Qendra për Shërbim të Qytetarëve në komunën e Novobërdës vizituan Zyrtarët nga Qendra për Shërbim të Qytetarëve në komunën e Junikut.
Zyrtarët nga komuna e Novobërdës u pritën nga Menaxheri i Qendrës për Shërbim të Qytetarëve në komunën e Junikut, Haxhë Krasniqi si dhe mbajtën një takim të shkurtër prezantues me Drejtorin e Administratës së Përgjithshme në komunën e Junikut, Myrtë Velijaj.
Zyrtarët nga komuna e Novobërdës gjithashtu u takuan me të gjithë zyrtarët të cilët ofrojnë shërbime në Qendrën për Shërbim të Qytetarëve dhe patën rastin që të njihen më për së afërmi me mënyrën e ofrimit të shërbimeve, mënyrën e funksionimit të kësaj qendre dhe llojet e shërbimeve të cilat ofrohen në këtë qendër.
Qëllimi i kësaj vizite ishte këmbimi i përvojave nga këto dy komuna lidhur me funksionimin e Qendrës për Shërbim të Qytetarëve në të dyja komunat, sfidat dhe vështirësitë që të zyrtarët nga të dyja komunat ballafaqojnë në punën e tyre të përditshme me qytetarët e komunave përkatëse.
Për më tepër, qëllimi i kësaj vizite ishte këmbimi i ideve për mënyrën se si të veprohet në përmirësimin e punës së këtyre Qendrave për Shërbim të Qytetarëve, gjithmonë marrë për bazë se të dyja komunat kanë themeluar qendrat e tyre për shërbim të qytetarëve tash së voni, prandaj koncepti i këtij sistemi është mjaft i ri për të dyja komunat.
Zyrtarët nga të dyja komunat gjatë kësaj vizite për këmbimin e përvojave kishin mundësi që të bisedonin në detaje rreth punës së këtyre qendrave si dhe mundësitë për zgjerimin e shërbimeve të ofruara në këto qendra.
Zyrtarët nga komuna e Junikut shprehen interesimin e tyre që gjithashtu të vizitojnë Qendrën për Shërbim të Qytetarëve në komunën e Novobërdës, gjatë disa javëve në vazhdim, në mënyrë që edhe ata të shohin më për së afërmi me punën dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve në këtë qendër, sidomos pasi që komuna e Novobërdës është komunë e përzier etnikisht. /2lonline/