Ish-shefi i diplomacisë së Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë të martën se shteti i Kosovës aktualisht ka një diplomaci të pagjak dhe joaktive. Ai është shprehur i pakënaqur me dinamikën e politikës së jashtme të vendit tonë. “Dinamika të cilën është duke e ndjekur diplomacia e Republikës së Kosovës është një diplomaci inerte, ad-hoc, e pagjak dhe joaktive”, ka vlerësuar Hyseni në këtë intervistë për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se është e domosdoshme një marrëveshje përmbajtjesore për normalizimin e raporteve me Republikën e Serbisë. Në këtë kontekst, Hyseni e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë.
“Ende nuk po shohim zbatim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vazhdoj të mendoj se një marrëveshje përmbajtjesore dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve me Republikën e Serbisë është e domosdoshme. Pra, vazhdoj ta inkurajoj Qeverinë e Republikës së Kosovës të insistojë në zbatim të atyre marrëveshjeve të cilat janë në interes të shtetit të Kosovës”, ka theksuar Hyseni.
Hyseni ka thënë se Kosova duhet të jetë kusht për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE). “Jam i bindur se njohja e Kosovës nga ana e Serbisë duhet të jetë kusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Pra, pala kosovare duhet ta vendosë njohjen nga Serbia si një kusht i patejkalueshëm tek Bashkimi Evropian”, ka thënë Hyseni.
Duke folur për mosnjohjen e pesë vendeve të BE-së, Hyseni ka thënë se me dinamikën çfarë po tregon diplomacia e Kosovës vështirë priten njohjet nga pesëshja e BE-së. “Me këtë dinamikë dhe me këtë qasje që ka diplomacia e Kosovës vështirë të pritet njohje nga pesë vendet evropiane”, është shprehur Hyseni, i cili ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ai ka thënë se përderisa ekziston Rezoluta 1244 Kosova nuk ka asnjë shans të anëtarësimit në OKB.