Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut (NJKDNJ) së bashku me Ekipin komunal për rekomandime lidhur me aktivitete jashtëshkollore, kanë mbajtur takimin në SHMLP “Andrea Durrësaku” në Kamenicë lidhur me organizimin e ekskursioneve të nxënësve.
Koordinatorja e NJKDNJ-së Nazmije Demolli-Kastrati tha se së bashku me Drejtorinë e Arsimit ka formuar ekipin komunal me të cilin do të merren me rekomandime sa i përket organizimit të aktiviteteve jashtëshkollore.
“Ne kemi ngritur si shqetësim çështjen e organizimit të ekskursioneve. Takime të ngjashme kemi mbajtur edhe me këshillin drejtues të Gjimnazit “Ismail Qemali”, dhe qëllimi i këtij takimi është diskutimi rreth organizimit të ekskursioneve të nxënësve, andaj presim kontributin e secilit nga ju”, u shpreh ajo.
Sipas Demolli-Kastratit, rekomandimi i përfaqësuesve të këshillit drejtues të shkollës ishte që të formohet një komision i ngjashëm si ekipi komunal, në mënyrë që të vendosen kritere të mirëfillta.
Në këtë takim të pranishëm ishin zyrtarë komunal, policia nga Stacioni Policor në Kamenicë, përfaqësues të OJQ-ve, drejtori i shkollës, mësimdhënës, prindër dhe nxënësit e kësaj shkolle.