Fjalë e mbajtun qatëherë (shtator 2014) në cilësinë e redaktorit gjuhësor, me rastin e promovimit të vëllimit poetik “Tufë drite” të poetit Imer Topanica , e harru mbasandej, hiç s’e di pse, mënjanë.
Gazi Berlajolli
(2L ONLINE) – “Tufë drite” quhet vëlllimi i parë i Imerit me poezi, po që, pse i pari, nuk e ban ate rishtar në zeje poezie. Imeri mirënjihet prej lexuesit të poezisë në shqip, i cili sot këto i lexon edhe në celularë ‘të mençëm’. E në facebook ka prej kohësh poezi të Imerit që mbledhin like e marrin share.
Nji nga këto poezi fjala vjen asht “Jam lodhë së jetuemi pa e pa dekën”. E kujtoj personalisht prej ditëve kur vërshoi së pari nëpër facebook. Plot e komentuen, shum e shpërndanë, të tjerë lypën me u miqsue virtualisht me autorin. Vjen në këtë vëllim e përpunueme tutje, në shprehësi, stil, e maje tanash, në potencë. Asht ndër kulmoret në këtë vëllim.
Qe besa, në përmbledhjen e vet të parë Imeri vjen tashma si nji za poetik fort i rafinuem, me hove edhe i mprehtë fort hollë. Nëse dikush do të bajë ndonji antologji të poezisë së bashkëkohësisë në shqip, qoftë edhe në format elektronik pos, do nga poezitë e këtij vëllimi do t’i imponohen si të pashmangshme.
Nji prej ma të filtruemeve, për shijet e mia, mbetet “Kush asht ky njeri?”, nji ode kjo njeriut të mbërrimë, profet, shenjëtor a shkencëtar qoftë ai që, në përfytyrimin tonë, asht njeriu që rrugëton kah drita. E rrugëtimi kah drita, dhe Drita vetë, asht synimi i autorit. Hetoj se mbas rimarrjes së librit në format të shtypun, vendimet e mia lidhun me poezinë ma të mbërrime po luhaten prap.
Nji arritje e madhe, që Imerit ia mundëson përvoja e gjatë me poezinë, asht fakti qënë këtë vëllim arrin të vijë me nji shumsi zanesh poetike, kumbues njani, i qetë tjetri, bashkë me nji ndërrim të shpeshtë temash që trajtohen, qasjesh e disponimesh, dialektesh madje, e bile strukturash poetike që ndryshohen prej njanës poezi te tjetra. Imeri poezinë e ban zap, din me ia nënshtru diktateve të veta, nuk e len me i rrëshqitë duersh si ngjalë. Vëllimi “Tufë drite” e thotë këte fuqimisht.
Ndër vargje, nuk asht gjithëherë optimist, por as pesimist jo. Notat e pesimizmit vijnë të rralla e të buta. I veçantë asht nji za që hetohet bash pse lufton për mosme ra në pesimizëm. Asht ky zani i mekun protestues, që nuk e hasim të përsëritun tjerakund, përveçse te poezia “Nji ditë kam me ba protestë”, çka më ban me e nda ndër poezitë e preferueme. Fill te poezia e radhës, e quejtun “Za kryengritësi”, thirrja asht ba jehonë e zani kumbon, dhe shoh, jo ma nji tjetër poezi, as veç nji tjetër qasje, a stil, a thirrje. Shoh, te kjo tjetra, krejt nji tjetër poet.
“Tufë drite” asht nji shëtitore ndjenjash, mbasi në çdo poezi ai që flet asht nji tjetër, ka ndërru temë, ka ndërru humor, ka ndërru aq shum në shprehësi e stil, sa të bahet se poezitë nuk ndajnë të njejtën adresë frymori, se nuk ka vargëzu përmbi to veçse nji poet.
Më end poezia e Imerit në këtë vëllim nëpër kërkime për të përkryemen, për dashuninë, për dijen, për lirinë, për të vërtetën, për dritën, e që përmbledhtazi mundemi me i qujtë kërkim për Zotin. Fundja, kur thërret “M’ep nur Madhni”, a s’asht tu lypë dritë, dije, paqe e bekim? E mbasi kërkimi për Zotin asht detyrimisht kërkim për të vërtetën, mahnitem kur shoh të vërtetat që në kërkimin e tij poeti tashma i ka ba të vetat. Ndër to, dijeninë se sot jemi këtu e nesër do të bahemi, si në krye të herës, prap veç njitufë drite.
Lexuesi i vëllimit ka me e shiju edhe zbulimin e do fragmenteve të prozës poetike, që faqosen ndryshe nga poezitë, e për ma shum, japin në vijimsinë e tyne nji tregimth të vockël.
Kjo botë po digjitalizohet, me çka po i ndryshon krejtsisht kultura e komunikimit e njerëzimi po e hap kësisoji, krejt të re e të panjohun ma parë, nji tjetër Epokë, që botimin në celulozë ka nisë me e sfidu e mundet edhe me e çu drejt zhdukjes. Nuk di me thanë nëse botimet e vëllimeve poetike në format libri kanë me u mbijetu kohëve. Por shpresoj që kjo të mos na ndodhë sa kohë Imeri vazhdon me dalë me përmbledhje poetike të reja, sepse, me folë kah del shpirti, gjatë redaktimit me patën shiju fort. Shpresoj të ketë të tjera me më dhanë. /2L ONLINE/