Policia e Kosovës njësitet e trafikut rajonal në Gjilan në vazhdën e implementimit të Planit operativ “Siguria në trafik 2021”, sot me 26 korrik 2021 në orët e paradites kanë vazhduar me kontrolle të shtuara të veturave dhe mjeteve transportuese me qëllim të preventimit dhe parandalimin e aksidenteve në trafik, në rrugën magjistrale Gjilan- Kamenicë, punë kjo që do vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se sot kryesisht është punuar në identifikimin e kundërvajtësve që bëjnë shkelje ligjore gjatë vozitjes, kryesisht “tejkalimi në vijë të plotë”, “tejkalimi i kolonës së disa veturave”, “mos përdorimi i rripit të sigurisë”, “përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit”.
Sipas Hashanit, vlen të ceket se vetëm gjatë vikendit janë shqiptuar gjithsej 240 gjoba të ndryshme përfshirë edhe konfiskimin e tetë (8) patentshoferëve në raste të kundërvajtjeve të ndryshme si “tejkalim në vijë të plot, tejkalim i shpejtësisë së kufizuar në bazë të shenjave të trafikut”, etj.
“Policia e Kosovës njësitet e Trafikut rajonal në Gjilan në vazhdimësi kërkojnë nga vozitësit dhe gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacion gjatë qarkullimit në rrugë sepse zero tolerancë do të aplikohet ndaj secilit pa dallim që bie në kundërshtim me ligjin”, ka thënë zëdhënësi Hashani. /2LONLINE.com/