/Nuk mundet secili nga ne të bëjë gjëra të mëdha, por mundemi të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri/ – Nënë Tereza
(2L ONLINE) – Personi për të cilin është ky shkrim për mua është njeri i jashtëzakonshëm sepse përfaqëson një shumicë të madhe të popullit tonë – ata të ndershmit, të ndërgjegjshmit, ata që nuk ia shtrijnë dorën askujt por mundohen dhe ia dalin me atë që kanë të krijojnë një jetë normale me familjet e tyre. Ata të cilët në vend të një pijeje në kafiteri, zgjedhin që me 50 cent tu sjellin fëmijëve të tyre nga një bukë. Ata të cilëve u mungon ndoshta pasuria materiale, por kanë diçka shumë më të vlefshme – kanë moralin e lartë, shpresën për këtë vend në të cilin shumica po shef vetëm zi dhe optimizmin e gjallërinë.
Quhet Rexhep Dërmaku dhe ka lind në Shipashnicë të Kamenicës. Jeta nuk e ka përkëdhelur, mbeti jetim pa të dy prindërit që në moshën 4 vjeçare dhe atë me vëllezërit dhe motrën e rriti halla. Filloi të punoj që në moshën 7 vjeçare.
‘’Mbushja çantën me çorapë, qese dhe këso gjanash dhe i hipja autobusit e vija në Gjilan për ti shitur. Hyja në çdo lokal dhe hapësirë ku ma merrte mendja se mund të shisja. Kam tërë jetën që punojë’’.
‘’Në 2007 u shpërngula në Gjilan me gruan. Gruaja flinte tek e motra e cila kishte familjen e vet, e unë në një depo në të cilin punoja dhe kështu për disa muaj. Më vonë fillova të punoja si rojtar nate në një qebaptore dhe njëri prej shefave të KEP-it që ishte afër lokalit në të cilin punoja, më nxiti që të kryej një kurs për siguri. Mbasi e përfundova kursin me 2007 dhe që nga atëherë punoj si roje në një kompani private. Rroga ime është 200 euro. 100 euro i shpenzojmë për nevojat tona, kurse 100 tjerat i ndajmë anash për ndonjë nevojë më të madhe. Me vite kam vepruar ashtu, dhe tash kam arrit ti blej 2 ari tokë për shtëpi, normalisht edhe me ndihmën e disa të afërmve. Për momentin jetoj në shtëpinë e Shukri Selmanit i cili jeton vet në Gjermani. Ai mi ka hapur dyert e shtëpisë se vet. Deri sa të dal në shtëpinë time. Nuk e kam farefis, thjeshtë është bamirës që më ka ndihmuar vetëm se kisha nevojë për ndihmë. Tani jemi bërë si anëtar familjeje’’.
Rexhepi është i baba i një vajze. Nuk thuhet kot se jeta për dikënd është nënë e për dikë njerkë. Vajza Elmedina tani ka 6 vite dhe është një fëmije i shëndoshë dhe i hareshëm. Por s’kishte mundë të ecën deri në moshën 3 vjeçare. ’’Filloi me 3 vite ti lutet Zotit – o Zot shëromë dhe filloi te ecë. Kjo ishte mrekulli… Sot jemi një familje e lumtur dhe jetojmë si të gjithë në Kosovë.’’
‘’Kurrë s’kam kërkuar ndihmë sociale. Pse t’ia marr dikujt kafshatën mbasi unë vet jam i shëndosh dhe mund të punoj?!!!’’
Eh sa njerëzit e ‘’zotët’’ mu kujtuan në moment e sa kafshatat e vjedhura e të përvetësuara.
‘’As që kam tentuar të dal jashtë, ky është vendi im. Ne të gjithë po ankohemi se shteti nuk bënë asgjë për ne. Por ne e bëjmë shtetin, njerëzit. Çfarë po bëjmë ne ?! Secili prej nesh mund të bëjë diçka nëse donë”.
Rexhepi nuk ka asnjë cent borxh për rrymë, për ujë e për mbeturina. Thënë shkurt nuk i ka borxh as shtetit as njerëzve asnjë cent .Të gjitha i mbulon me ato 100 euro të cilat i shpenzon në muaj. Dhe kjo mu duk njëra ndër gjërat të cilat ai po i bënë për shtetin, prej te cilit nuk pret asgjë.
‘’Zakonisht eci për në punë nga 12 km gjatë ditës. Gjithmonë eci këmbë – ato para të taxit i shpenzoj për familjen time. Ndodhë që mbasi kam kryer ndërrimin për 12 orë, me thirr dikush të kryej edhe ndonjë pune fizike dhe shkoj nga puna në punë. Për këso punësh çmimi sillet prej 10-15 euro dita”.
Ndodhë që edhe gruan e thirrin për të pastruar shtëpitë gjatë verës. Kjo është një ndihme e madhe për familjen tonë.
Ai me 1999 kishte regjistruar fakultetin e historisë pran UP-së por për shkak të kushteve e kishte ndërprerë. ’’Unë sot punoj dhe do të mundohem që fëmija im mos të ketë jetën çfarë kam pasur unë. Do të mundohem që të shkollohet dhe të jetë e zoja e vetvetes. Ka shpresë për ketë vend. Unë besoj se më të keqen e kemi kaluar dhe fëmija im nesër do të ketë një të ardhme më të mirë se unë.’’
Ky shkrim nuk është i tipit edhe unë jam Kosovë. Është shkrim për njerëzit e zakonshëm të cilët i hasim çdo ditë. Secili prej tyre ka rrëfimin e vet. Besoj se njerëz të tillë është e mbushur e gjithë Kosova, por ne jemi të përqendruar në nja 5% të ‘’elitës’’ sonë. Për ta dimë, ku dhe me kënd flejnë, ku ju punojnë gratë e balldëskat, çfarë automobilash vozisin, sa e kanë rrogën, sa kanë kredi, si quhen fëmijët e tyre dhe ku argëtohen.
Rexhepi nuk kërkoi ndihmë as që u ankua. Ama unë po kërkoj në vend të tij; nëse dikush mundet ta ndihmojë me material ndërtimorë apo në çfarëdo mënyre tjetër që të ndërton shtëpi në ato dy ari tokë që i ka blerë nga kursimet e 100 eurove në muaj, bëjeni .Se duhet stimuluar njerëzit e zotët në këtë vend. Ndoshta vajza e tije nesër do ta udhëheq shtetin.
/Zhaklina FILES/2L ONLINE/