(2L ONLINE) – Sot me 1 nëntor bëhen një vit kur nga ne u nda përgjithmonë Valon Ajeti, në një aksident trafiku. Për të folur për Valonin, që përndryshe në qytet njihej si Valon Cigarxhia, është një histori e gjatë. Ai që në moshën 7 vjeçare u bë mbajtës i familjes, sepse prindi i tij ishte minator në Kishnicë, e ne vitin 1990 u largua nga puna si shumë shqiptare tjerë, kuptohet atëbotë nga okupatori serb.
Valoni filloi të punojë duke mos u ndalë për asnjë çast, vetëm e vetëm që ta mbaj familjen. Gjatë punës së tij, ai shumë herë u arrestua nga policia serbe, u dërgua ne stacione policore, u rrah shumë herë , ju konfiskuan sasi të ndryshme të cigareve, shuma të caktuar të të hollave, jo një herë, por shumë herë.
Por, ai kurrë nuk u dorëzua, punoi gjithmonë me djersën e tij. Ndonëse i ri në moshë, ai gjate luftës qëndroi ne shtëpinë e tij. Pas çlirimit Valoni filloi me punë të pandalshme, që nga agimi e deri në orët e vona të mbrëmjes.
Ai ishte gjithmonë gojëmbël si me fjalë, po ashtu edhe me sjellje, si në familje, ashtu edhe në shoqëri dhe kudo që ishte. Gjatë punës dhe komunikimit me të tjerët ai me një simpati përdorte fjalën babo-babo. Kishte raporte të mira si me fëmijë, po edhe me të moshuar, punëtorë e profesorë, inxhinierë e doktorë, derisa nuk ndalej me punë në çdo cep të qytetit.
Gjate gjithë ditës, sa punonte, në çdo kafiteri, ai nuk e ka shikonte klientin se a ka para, a po s’ka, ai mallin e tij ia ka lënë në dorë, pa e pyetur fare për para.
I vetëdijshëm se nënën e kishte të sëmurë nga një sëmundje e pashërueshme dhe tepër e kushtueshme, ai me forca të tij vetjake dhe punës së palodhshme të cigareshitësit e ka ndihmuar nënën e tij me medikamente të ndryshme dhe asnjëherë nuk ka kërkuar ndihmë materiale nga ndokush për këtë çështje.
Një nëntori i viti të kaluar, për familjen tonë ishte ditë e dhimbshme, ishte ditë e vështirë e zymtë, sepse morën lajmin e kobshëm për Valonin, i cili ishte nisur në udhëtim pune për në Prishtinë, ku në fshatin Bresalc humb jetën tragjikisht, për të mos u kthyer më kurrë në vendin e tij të punës, në familjen , shokët që kishte aq shumë në gjithë Kosovën. Kjo u dëshmua në varrimin e tij, ku morën pjesë me mijëra qytetarë nga viset e ndryshme shqiptare.
Ne si familje mburremi qe ishte anëtar i familjes sonë, sepse ishte shembull ne qytet se si duhet një i ri te mbaj familjen e tij qysh prej vitit 1990 deri atë ditë kur e humbi jetën tragjikisht. Valon ti ike ne boten tjetër pa e pa Lorisin qe e deshe aq shumë, duke u rritur, duke ecur, por dije se edhe Lorisit i mungon buzëqeshja e xhaxhait të tij. Valon, mungesën tënde të gjithë e ndiejmë dhe e shohim në mëngjes në lokalet e punës suaj në hotel, aty ku më së shumti u solle, punove e veprove, e shohim në çdo vend dhe në çdo kënd të qytetit.
Në emër familjes Ajeti, respekt për gjithë ata që e njohën Valonin nga afër, një shpirtmadh që askënd se lëndoi me asnjë fjalë te keqe.
I lehtë të qoftë dheu Valon Ajeti.
/Raif AJETI/