(Sherafedin Kadriu: RITI I VARRIMI GJATË EPOKËS SË HEKURIT NË KOSOVË,Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Gjilan, 2019 )
Edituar nga Qendra për Trashëgimi Kulturore të Gjilanit dhe, mbështetur nga MKRS – Departamenti i Trashëgimisë kulturore ( Prishtinë ), kohë më parë është botuar dhe tashmë gjendet në qarkullim, vepra e parë studimore nga fusha e arkeologjisë e arkeologut gjilanas, mr. Sherafedin Kudriut, RITI I VARRIMI GJATË EPOKËS SË HEKURIT NË KOSOVË”, një nga veprat e para të kësaj fushe në Kosovë e cila trajton ritin e varrimit të ilirëve, me theks të veçntë, të dardanëve gjatë epokës së hekurit.
Libri numëron 175 faqe, me ngjyra; 24 cm. Teksti shoqërohet me një material ilustrativ të pasur grafik, fotografik dhe arkeologjik, i përbërë nga 31 figura, 13 skica e planimetri dhe 27 tabela ilustruese.
Libri është i pajisur me një aparat të pasur shkencor, me 629 fusnota si dhe ka një literaturë të mjaftueshme për temën e trajtuar, e pasqyruar në 161 tituj bibliografikë. Në dy sytha më vete, tek zërat bibliografikë janë shënuar edhe “Burime nga DBI (Databaza interne e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë (6 zëra), si dhe “Burime nga Web faqe Interneti, gjithsej 7 zëra.
Ka Hyrjen, ku theksohet rëndësia e trajtimit të çështjes së ritit të varrimit gjatë epokës së Hekurit në Kosovë, kur përfundon procesi i formimit etnogjenetik i dardanëve, përhapja hapësinore e tyre, si dhe tregohet baza ku është mbështetur hartimi i këtij libri.
Pozita gjeografike e Kosovës është trajtuar për aq saka qenë e arsyeshme dhe është ilustruar me dy harta, ndërsa sythi ( nënkapitulli ) , “Historiku i gërmimeve” trajtohet në mënyrë të plotë, i periodizuar në tri periudha: I – 1918-1939, II – 1949-1998 dhe III- 2000-2018.
“Probleme kronologjike të Hekurit të hershëm në Kosovë” përmbyll pjesën hyrëse të këtij libri ku janë paraqitur pikëpamje të ndryshme për kronologjinë përkatëse, ndërsa pas krahasimeve të tyre me të dhënat e gërmimeve, si më e pranueshme është zgjedhur kronologjia e Nikola Tasiqit, sipas të cilit, epoka e hekurit në Kosovë fillon në shek. X para Kr. (HaB1-HaB2), pra me fazën e dytë të kulturës së Bërnicës, e paraprirë nga faza transitore Bronz-hekur, shek. XIII-X para Kr.
Sipas njërit nga recensentët e librit studimor “ RITI I VARRIMI GJATË EPOKËS SË HEKURIT NË KOSOVË”, prof dr. Muhamet Belës, autori me të drejtë e ka ndarë në tre kapituj, ku secili kapitull pastaj ka ndarjet e brendshme nënkapituj apo sytha.
“Riti i varrimit gjatë fazës së hershme të epokës Hekurit” është titulli i kapitullit të parë që përbëhet prej 5 sythash. Në të është trajtuar riti i varrimit në të gjitha nekropolet e dysta të Kosovës. Është ofruar një pamje e detajuar e varreve të tipit të Bërnicës së Poshtme (5 tipa gjithsej). Si përfundim, shfaqja e ritualit të djegies dhe urnave konsiderohet rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ndikimeve të dyndjes egjeane gjatë valës së dytë. Gjithashtu, është trajtuar kultura materiale , duke e përmbyllur këtë kapitull me “analizën kulturore”.
Riti i varrimit gjatë fazës së zhvilluar të epokës së Hekurit, është kapitulli i dytë që ka 6 sytha, i paraprirë nga një hartë e shpërndarjes së 13 nekropoleve tumulare si dhe 9 vendbanimeve, kronologjikisht të lidhura me këtë periudhë. Është bërë përshkrimi topografik dhe arkitektonik i tumave, si dhe është trajtuar arkitektura e varreve. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar analizës kulturore, ku janë trajtuar tiparet e përbashkëta kulturore të tumave të Kosovës dhe atyre të trevave verilindore të Shqipërisë, të cilat në antikitet qenë të përfshira në kufijtë e Dardanisë. Është kritikuar pikëpamja e R. Vasiqit, për kompleksin kulturor Llashticë-Llapotincë, që paraqet një version të ri të pikëpamjes së vjetër të arkeologjisë serbe për gjoja ndryshimet kulturore midis Rrafshit të Dukagjinit dhe Rrafshit të Kosovës.
“Riti i varrimit gjatë fazës së vonë të epokës së Hekurit”, është kapitulli i tretë i strukturuar në 5 sytha kryesorë. Paraprihet nga një hartë që paraqet shpërndarjen e nekropoleve të shek. VI-V para Kr., pasuar nga orientimi i varreve, arkitektura e tyre, tipat arkitektonik etj. Riti i varrimit është argumentuar nëpërmjet shembujve të shumtë, duke konstatuar se mbizotërues është riti me trupvënie. I është kushtuar vëmendje e veçantë analizës kulturore, duke paraqitur një syth në vete që ka të bëjë me importin grek.
Libri studimor RITI I VARRIMI GJATË EPOKËS SË HEKURIT NË KOSOVË”, mbyllet me sythin Përfundime, i pasuar nga sythi ( nënkapitulli ) Etnogjeneza dardane.
Përfundimet hapen me një postulat të Zef Mirditës “ E vërteta shkencore nuk varet nga dëshira”, që shpreh thelbin e këtij libri për ritin e varrimit te popullsia ilire e Dardanisë; pre dhe protohistorike. Janë risjell në kujtesë pikëpamjet e ndryshme për çështjet e formimit etnogjenetik të ilirëve, pra edhe të dardanëve, dhe për fillesë është shfaq hipoteza Gimbutas mbi dyndjet kurgane në Ballkan, përkrahësit dhe kundërshtarët e kësaj hipoteze. Tek sythi “Etnogjeneza dardane” bëhet një rikapitulim i hipotezave mbi këtë problem në aspektin arkeologjik, historik e linguistik, të shprehur nga studiues të ndryshëm në mbështetje të karakterit autokton të etnogjenezës dardane .
Përndryshe, autori i kësaj vepre, mr. Sherafedin Kadriu, në prill të vitit të kaluar, e mbrojti në Tiranë këtë studim me shumë sukses para Komisionit profesional, prof, dr. Ilirjan Gjipali ( kryetar) , prof. Asoc. dr. Muhamet Bela, anëtar dhe dr. Rovena Kurti, anëtare .
/Sabit Rrustemi/