( VEPRA VLERASH TË MËDHA POETIKE – Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës, botoi Shtëpia Botuese FAIK KONICA, Prishtinë, mars 2018 )
Poeti dhe studiuesi i letërsisë, Isak Ahmeti, botoi këto ditë librin e tij më të ri me titull “Vepra vlerash të mëdha poetike” (shtëpia botuese Faik Konica e Prishtinës), ku janë përfshirë 18 punime për veprat e Anton Nikë Berishës.
Në të vërtetë, në vëzhgimet e Isak Ahmetit lidhen me veprat e llojeve të ndryshme të Berishës. Në pjesën e parë “Studiuesi i letërsisë”, janë përfshirë punimet për veprat studimore të Anton Nikë Berishës, në të dytën punimet kushtuar romaneve, në të tretën “Prushit të bukurisë”, në të katërtën veprat e përkthyera dhe në pjesën e fundit të librit autori ka vënë punimet kushtuar veprave që i kushtohen Nënës Tereze, tashmë e shpallur e shenjtë.
Duhet thënë se ky është libri i dytë i Isak Ahmetit kushtuar veprimtarisë së pasur të shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë, Anton Nikë Berishës. Libri i parë “Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë” (2014).
Në Shënimin hyrës të studimit më të ri të Isak Ahmetit, thuhet: “Veprën letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës e kam përcjellë dhe e kam lexuar me interesim prej kohësh, në mënyrë të veçantë studimet letrare dhe romanet. Kështu, herë pas here kam shkruar për disa vepra të tij dhe kam shprehur mendimin tim për to.
Më 2014 botova librin me titull Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë, ku përfshiva shtatë punime për shtatë vepra të këtij autori që i përkasin dy fushave të rëndësishme të veprimtarisë së tij letrare: si studiues i letërsisë dhe si romansier. Qasja, vëzhgimet dhe interpretimet që u bëra veprave letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës janë të lidhura ngushtë me vlerën dhe rëndësinë e tyre të shumëfishtë për botën tonë, siç e dëshmojnë dhe tetë monografi dhe vëllime të veçanta me punime të shkrimtarëve dhe studiuesve të shquar shqiptarë dhe të huaj kushtuar veprave të tij”.
Po përmend këtu studimet monografike dhe vëllimet kushtuar veprave të Anton Nikë Berishës:
1. Domenico Corradini H. Broussard, Narrando gli abissi. Tre romanzi di Anton Nikë Berisha. Rrëfime të thellsive. Rreth tri romaneve të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2009;
2. Prend Buzhalës, Kode poetike të mbijetesës shpirtërore. Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës. Argeta – LMG, Tiranë 2009;
3. Isak Ahmeti, Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë. Mbi disa vepra letrare të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2014;
4. Anton Çefa, Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik. Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës ;
5. (Hamdi) Erjon Muça, Në botën e thesareve poetike. Vëzhgime për shtatë vepra të Anton Nikë Berishës. Faik Konica, Prishtinë 2016;
6. Roman i bukurisë së pamort dhe i trishtimit të pashuar. Rreth romanit “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Labinot Berisha.E botuan “Faik Konica” & “Shpresa”, Prishtinë 2006;
7. Vepër e pasur dhe e qenësishme, ku janë përfshirë nëntëdhjetë e dy punime të gjashtëdhjetë e një autorëve për veprat e Anton Nikë Berishës, botim i tri shtëpive botuese: Argeta – LMG, “Faik Konica” dhe “Fjala Hyjnore”, Tiranë, Prishtinë, Shkodër;
8. Romanzo di estrema belleza (Roman i bukurisë së skajshme). Ventidue scrittori e studiosi italiani e arbëreshë sul romanzo “La sete pietrificata” di Anton Nikë Berisha. Faik Konica, Prishtinë 2016;
9. Vepër e pasur dhe e qenësishme. Vëllimi II. Njëqind e pesë punime të gjashtëdhjetë e tre autorëve, shqiptarë e të huaj, për veprën letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës të shkruara në periudhën shtator 2011 – dhjetor 2016. Zgjodhën dhe përgatitën Labinot Berisha dhe Mehmet Gëzhilli. Argeta LMG & Faik Konica, Tiranë – Prishtinë 2016;
10. Roman i bukurisë së skajshme. Njëzet e pesë shkrimtarë dhe studiues italianë dhe arbëreshë për romanin “Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës Përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2017;
11. “Prushi i bukurisë – Një përmendore poetike për artin e fjalës. Njëzet e gjashtë punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për veprën Prushi i bukurisë – Përsiatje poetike për artin e fjalës të Anton Nikë Berishës. Zgjedhur dhe përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha. Shtëpia botuese Beqir Musliu. Prishtinë 2017.
12. Mehmet Gëzhillit & Labinot Berishës, Anton Nikë Berisha. Bibliografi e veprave dhe e punimeve 1968 – 2016. Argeta LMG, Tiranë 2016.
Përndryshe, Isak Ahmeti, pos si studiues i shquar i letërsisë sonë, njihet edhe si poet i çmuar dhe i cilësuar, interesant nga kritika letrare.