Figura e Nënës Tereze në shtatë shpalime të Anton Nikë Berishës

Figura e Nënës Tereze në shtatë shpalime të Anton Nikë Berishës

(Rreth kompletit të librave për Nënën Tereze: Nëna Tereze në shtatë shpalime të Anton Nikë Berishës. Shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinë 2019)

Shkruan: Sabit Rrustemi

Viti 2019, në fushën e letërsisë, përkatësisht të botimeve letrare, për mendimin tim, do të mbahet mend për botimin e kompletit të veprave të prof dr. Anton Nikë Berishës për Nënën Tereze, e cila para 40 viteve u nderua me Çmimin Nobel për paqe, për përkushtimin e jashtëzakonshëm të saj në misionin e shenjtë të bamirësisë dhe dashurisë së pashtershme ndaj Hyjit e Njeriut, atij njeriu që ishte më i varfëri midis të varfërve, përmes Shoqatës që drejtonte, “Misionaret e dashurisë”, me seli në Kalkutë të Indisë, e që u bë e njohur në mbarë botën.

Janë gjithsej 10 vepra të këtij studiuesi të letërsisë , romansierit e poetit , që, të përmbledhura në një komplet prej shtatë vëllimesh, vijnë si shtatë shpalime për këtë Nënë të përmasave botërore, e cila kudo që ndodhej, në misionin e saj të bamirësisë e dashurisë ndaj Hyjit dhe Njeriut, e shpërfaqi dhe e tha hapur origjinën e saj, për çka ne, shqiptarët, do t’i jemi mirënjohës nëpër breza e breza.

Selia e Shenjtë, jo rastësisht, e shpalli dhe Shenjtore tri vite më parë, pasi puna dhe veprimi i saj iu nënshtrua të gjitha procedurave paraprake të shenjtërimit, nga momenti i lumturimit të saj e deri te akti solemn, të cilin e përmbylli në mënyrën më të mirë Papa Françesku, që kohë më parë ishte dhe vizitoi vendlindjen e saj, Shkupin, pikërisht në këtë përvjetor të rëndësishëm, duke e shpërfaqur hapur edhe qëllimin e vizitës, që ndodhi thjeshtë për nderim të Shën Terezës, Nënës Sonë.

Studiuesi ynë i rryer, romansieri i rrallë e poeti i veçuar për nga stili dhe shtjellimi artistik, Anton Nikë Berisha, përkushtimin e tij krijues e studimor për këtë figurë të madhe të njerëzimit e nis në mënyrë më të thelluar pikërisht në vitin kur u bë edhe lumturimi i Nënës Tereze nga Selia e Shenjtë, në fillim të këtij shekulli, më 19 tetor të vitit 2003.

Do përmendur se Nëna Tereze, u bë frymëzim letrar qe gjysmë shekulli, më konkretisht që kur u laureua me Çmimin Nobel për paqe ( 1979 ), e para shqiptare që u nderua më këtë Çmim, po edhe e para grua që e gjithë bota e pagëzoi Nënë dhe e njeh si të tillë. Mirëpo, Anton Nikë Berisha, me një punë përkushtuese krijuese gati njëzetvjeçare për Nënën Tereze, shkoi përtej gjithë të tjerëve, ani se një shkrimtar tjetër yni, Ibrahim Kadriu, gati 14 vite më parë kishte botuar romanin e parë në shqip po për këtë Nënë – “Qerrja e dritës”.

Vepra e parë e këtij kompleti, romani “Nëna e dritës”, që i përkushtohet fund e krye kësaj figure, botohet më 2004. Për t’u pasuar pas tetë vitesh me romanin tjetër “Dritë në shtjellën e gërbulës”, ku kryepersonazh është përsëri Nëna Tereze , që më vonë në ribotim po edhe në përkthimin në italisht, titullohet “Ëndrra e erës”, titull tejet simbolik dhe po ashtu, shumë tërheqës.

Dy studiues të veprave të Anton Nikë Berishës, të cilët kanë shkruar dhe për këtë komplet librash që po përurohet, Isak Ahmeti e don Ndue Kajtazi, me të drejtë theksojnë se 10 veprat përkushtuese për Nënën Tereze, shkruar nga Anton Nikë Berisha, të cilat janë pjesë e këtij kompleti shtatë vëllimesh, i takojnë rrafshit krijues artistik, ku hyjnë këto dy romane si dhe dy poema, “Ujëvarë drite në zemër” dhe “ Sytë e heshtjes”, po edhe rrafshit studimor, siç janë: “I desha njerëzit me dashurinë e hyjit”, “Shën Pali dhe Nëna Terezë”, “Shën Maria dhe Nëna Terezë”, “Errësira shpirtërore”, “Testamenti shpirtëror” dhe “Nëna Terezë në poezinë bashkëkohore shqipe”.

Në të dy rrafshet e trajtimit të kësaj figure, Anton Nikë Berisha shquhet për përkushtimin profesional, si në rrafshin letrar – artistik, ashtu edhe në atë studimor. Ai nuk e madhëron Nënë Terezën, por e nxjerr ashtu siç ishte, në të gjitha veprimet e saj, qoftë në raport me Hyjin, Zotin së cilit ia falë jetën, qoftë në raport me më të varfrit e të varfërve anekënd botës, e veçmas në Kalkutën e Indisë, së cilëve ua kushtoi veprimin e përditshëm me misionaret e saja të dashurisë, qoftë në raport me drejtuesit e shteteve ndikuese dhe të Selisë së shenjtë , ndaj të cilëve kish respekt varësisht me ndihmën dhe mbështetjen që i jepnin misionit të saj përkushtues ndaj atyre prej të cilëve edhe më të dashurit e tyre kishin hequr dorë .

Pra, këta njerëz Në na i mori në përkujdesje dhe u flijua pë r ta.

Si askush tjetër prej shqiptarëve, autori i këtij kompleti veprash, i ngrit Nënë Terezës Monumentin letrar – artistik, që do t’iu qëndrojë të gjitha rrymave nëpër kohë. Me dëshmimin e një njohjeje të thellë të jetës dhe veprës së kësaj shenjtoreje dhe me dhuntinë e mjeshtërinë e tij në të shkruar, por edhe dijen në të vlerësuar, Anton Nikë Berisha kryen dhe një borxh moral e shpirtëror, jo vetëm ndaj kësaj Nëne të shenjtë por, edhe ndaj kombit të cilit i takon.

Te veprat studimore, Anton Nikë Berisha, përmes mënyrës së vlerësimit dhe krahasimit të figurës së Nënës Tereze me Shën Palin apo me Shën Marinë, ai gjithashtu dëshmon edhe një njohje të thelluar që ka për librat e shenjtë dhe letërsinë e lashtë, që nga Gilgameshi e deri në ditët tona, sa të bën të ndihesh krenar që po jeton në kohën e tij dhe po ke mundësinë për t’i pasur e shijuar këto kumte – vlera letrare e studimore.

Ky komplet veprash, nën titullin e përbashkët “Nëna Terezë në shtatë shpalime”, që shquhet përveç tjerash edhe me një përgatitje solide teknike nga ana e Shtëpisë botuese “Faik Konica “ dhe “Kuvendit Françeskan të Gjakovës”, iu mundëson gjithë të interesuarve, në veçanti studiuesve të tashëm dhe të ardhshëm, ta njohin edhe më mirë figurën e Nënë s Tereze, si njërën prej peronaliteteve më të shquara botërore të shekullit njëzet. Ajo për asnjë çast nuk harroi se ishte shqiptare dhe që, siç e thotë edhe vetë, “ 30 vite u lut për Shqipërinë dhe shqiptarët” por edhe që iu tha personaliteteve më me ndikim të botës, “bëjeni për popullin tim, atë që e bëni edhe për popullin tuaj”.

Me këto vepra që veç e veç janë botuar e ribotuar gjatë këtyre njëzet viteve dhe secila prej tyre, më pak apo më shumë, ka qenë dhe objekt i kritikës letrare, Anton Nikë Berisha jo vetëm e ka pasuruar e shtuar me tituj të rinj opusin e tij letrar por, më shumë e ka pasuruar letërsinë shqipe dhe, në veçanti i ka vu themelet e një Instituti të ardhshëm kombëtar për studimin e veprave për Nënën Tereze, të shenjtores sonë, që janë botuar anekënd botës gjatë këtij gjysmë shekullit dhe për të cilat ne kemi pak njohuri.

 

KOMENTE