(Rreth vëllimit poetik “Ditët s’janë një”, të autores Sadete Tërnava – Osmani)
E bukura vetë e arsyeton ekzistencën e saj.
Emerson.
Vlerësimi i një vepre letrare duhet të niset dhe të mbarojë duke e vështruar shtjellimin dhe funksionin e krijimit të tekstit poetik. Si i tillë, vlerësimi nuk nënkupton gjykim të tipit juridik, ku gjithçka varet nga interpretimi i rregullsisë, përkundrazi gjykimi i një vepre letrare varet nga fakti nëse ajo vepër u përket atyre krijimeve që meritojnë vëmendjen e lexuesve me shije estetike (sipas Eliotit).
Skruan: Sherafedin KADRIU
Nis nga kjo premisë, përmbledhja “Ditët s’janë një” e poetes Sadete Tërnava – Osmani, përmbush kriteret për një vlerësim serioz. Kjo është vepra e parë e kësaj autoreje që mund të vlerësohet si një përkushtim për ta strukturuar sa më artistikisht veprën e saj, e në këtë kontekst duhet parë sidomos thellimin e kuptimit të fjalëve dhe shprehjeve, për të depërtuar në nuancat e tyre kuptimore. Ky veprim i poetes lidhet me thënien e Malarmes “Më mirë një libër i vetëm, i organizuar dhe i punuar mirë sesa një përmbledhje frymëzimesh të rastësishme, qofshin ato edhe të mrekullueshme”.
Kjo vepër e Sadete Tërnava – Osmanit shquhet për një stil të formësuar, me një rrjedhë paksa prozaike, të lehtë e të lezetshme, që bëhet pjesë e rrugëtimit meditativ, filozofik, patriotik, shoqëror e dashuror, gjithnjë si evokim ngjarjesh të moteve të shkuara.
Në këtë vorbull veprimesh e mendimesh poetja ec sigurt; ka atë guximin femëror që do t’i afrohet absolutes, ashtu siç ishte pjekur pranë zjarrit familjar, ku “tytat ndiqnin shkronjat nëpër dhomë …”
Poezia “Letër burgu” dhe poezia “Falmë” (në dorëshkrim) janë dy simotra, të dyja të motivuara nga dashuria për një baba intelektual të mirëfilltë, për një shkencëtar të rrallë, siç qe Prof. Dr. Muhamet Tërnava, i cili u burgos nga regjimi i kohës, thjesht pse dritësoi shkencërisht mesjetën e errët.
Janë të rralla rastet kur këtë fenomen e hasim të trajtuar artistikisht nga pasardhësit e të burgosurve politikë, të cilët nuk kanë nevojë për imagjinatë; ata e kanë provuar “policin te dera”. Po u pa në këtë aspekt, poezia e Sadetes mund të jetë poezi pioniere.
Është sprovë e rëndë shpirtërore dhe poetike kjo, për arsye se gjithnjë do kesh mëdyshjen më vete, nëse e ke thënë atë që do duhej thënë dhe e ke thënë bukur. Në raste të tilla krijimi, vargun nuk e ke mik, e ke shpatë mbi kokën tënde! Por, e bukura arsyeton ekzistencën e saj: si natyrë kushtimi, si mënyrë ndërtimi dhe si mesazh që priret kah vlerësimi.
“Shumë pak vjet pata për ta njohur vdekjen e gjallë”, – shprehet poetja, tek sa evokon frikën për “librat, lapsat, fletët, rreshtat të lënë në mes/që fluturonin si n’filma trilerësh”. Në ato raste tkurret trishtimi, e se kah vjen një dozë krenarie jo e tepruar, si tek ai që e marrin, si te ata që mbeten, askush s’e thotë dot. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një kulturë familjare, që është dhe kredo personale, që është dhe kërkesë e pa hamendësuar për veprim të mëtejshëm:
Unë s’kam ku të shkoj më, veshur mure kam
Ti ke nënën, motrat dhe kujtimin tim.
(Letër burgu)
Tani, ajo drenusha e frikësuar hallakatet si luanesha kur zemërohet apo kur mllefoset, se nuk është mllef çasti që vjen papritur, por i ngjizur diku në thellësinë e shpirtit që dhemb pa ndërprerë, ani pse poetja e mendon të huaj. Është vetëm natyra femërore e butë dhe intelektuale njëkohësisht, që nuk do të dalë jashtë përmasave të humanizmit (poezia Mllef).
Po kështu, poezia “Ti e unë – ne e ju”, që i kushtohet së ëmës, vjen si përshkrimi i rritës së poetes që shprehet me pak fjalë, duke i ndjekur hapat e nënës. Nuk po themi asgjë të re, por e pamundshme e të mos përsërisim atë thënien: S’ka si nëna! E sa poezi kemi lexuar për të! Sa qasje të ndryshme, e kurrë nuk është mjaft!
Qasja e Sadetes është e veçantë për mesazhin poetik që jo vetëm prek ndryshimet e viteve duke shpërfaqur mbështetje dhe siguri tek e bija, por manifeston edhe gjenetiken e fisme të së ëmës. Fjalët dalin të organizuara jashtëzakonisht bukur, e organizmi është art, do të thoshin Velek e Voren:
E sot, me dorën në krahun tim
Tek më shtrëngon fort si unë ty dikur
Eci, flas e qeshi lehtas
Ti më dëgjon sërish qetas
(Ti e unë – ne e ju)
Nuk na habit fakti pse në vargjet e kësaj poeteje has në pak “intermexo” – jete të gëzuar, sikundër lexojmë në këtë poezi, ndoshta pse poetja thellë e ka ndjerë kohësinë e nëpërkëmbur të popullit të saj, prandaj i ka bërë vend më shumë tematikës së motivuar nga e përhirta. Një “intermexo” e evokon te “Dimri ynë”; poezi që manifeston diçka nga “prushi” i zemrës. Edhe kësaj here, vetëm si kujtim i largët, të cilin e ngjall ikonografia kohë, e pandryshuar për njëzet vjet me radhë.
Ajo që të tërheq vëmendjen në poezitë e Sadetes është imagjinata, e cila shkon përtej rëndomtësisë, duke sjellë para lexuesit përvojën e leximit e të dijes së formësuar, të vëzhgimit dhe studimit, ku zënë vend dukuritë negative nga më të ndryshmet në shoqërinë e saj. Në të tilla raste, vargjet cilësohen nga një përmasë ironie therëse, jo si ajo ironia e së kundërtës që lehtësisht pritet.
E tillë është poezia “Pa ajër”, e strukturuar si kujtim i një periudhe kohore të trishtë, ku krahasimi dhe antiteza e kanë veshur kuptimin ironik ndaj së keqes. S’ka nuanca në mes të zezës dhe të bardhës. Ose është e zezë, ose e bardhë. Mirëpo, një shtrirje shkallëzimi vetëm për të zezën, që te kjo poete ka diçka më shumë, asaj i është shtuar përcaktori futë për ta errësuar edhe më, aq sa edhe lustra e këpucëve t’ zeza do ua kishte zili . Edhe poezia “Flakë e mekur” ka të njëjtin motiv, kujtimin e periudhës së pështirë të pushtimit gati klasik të Kosovës; po, vjen një ditë e gjithçka ndryshon në jetë (Ankthi i pakohë). Asgjë nuk është siç ishte dikur…
Poetja është e fortë në rrugën e saj. Ajo ndryshe ndjen për trishtësinë e përgjithshme (Jo vetëm dhembje). Kundërshtitë e çastit vetëm sa i japin ngjyrë jete vuajtjeve të frikshme. E ka të vështirë ta dëgjojë refrenin: do të bëhet mirë, por e ardhmja e dëshiruar nuk i shqitet pozitivitetit. Është e njohur që zhgënjimi i njerëzve të arrirë është më i prekshëm.
Mënyra e strukturimit të poezisë së kësaj poeteje fsheh në vete diçka nga ai arti japonez Ikebhana, e që në kuptimin e elementeve përbërëse e bëjnë poetik tekstin. Në këtë kontekst, duhet parë vargun me një rrjedhë të natyrshme, i ndikuar nga thyerja e tij, radhitja e fjalëve, intonacioni i zgjedhur, kompozimi artistik në tërësinë e vet:
E lëmoj n’mejtimet e saj
Ia dua dashurinë e vjedhur
E lus të jetë si do vet
Si trungu me fletë
Ujë në baltën e humusit
Si xhepi i shqyer me një bankënotë fati
(Vetes)
Një gradacion i një natyre të veçantë që rrëshqet padukshëm për t’i dhënë shprehjes kushtim përmallues, paksa edhe moralizues, nuk është veçanti vetëm e poezisë Falmë:
M’duket,
M’bëhet
M’ngjet
Se rri i fjetur në sytë e mi
Se rri zgjuar kur nana fle
Se gjithkah
Kahdo
Të dëgjoj: falmë n’paça gabue!
(Falmë)
Në ndonjë nga poezitë, si ajo “Më fal nënë që s’u ktheva”, shfaqet një element kuptimor qëllimisht mungesor që errëson kumtimin, me synimin që mungesa poetike të mbetet vetëm pronë e poetes. Në të tilla raste, kureshtja e lexuesit për të kërkuar në ndërtekstin e poezisë së paku qëllimin poetik është e natyrshme, ndërsa vlerësimit nuk i takon të krijojë nëntekst të ri, për ta paraqitur pastaj si tekst origjinal.
Poezia Bredhja me elemente të thurjes bukolike, mund të jetë e vetmja që paraqitet e qartë dhe e ndjeshme, e kuptueshme, e dhembshme dhe zbuluese. Nisma është në mesjetë, ajo mesjeta që u ndrit nga i ati i poetes. Ka radhitur Barletin të parin, Buzukun, Bardhin, Kavaljotin, Naimin, Fishten etj, duke ndërtuar sfondin e udhëtimit nëpërmjet metonimisë.
Poezia e fundit në këtë vëllim me titullin Ditët s’janë një, siç është emërtuar ky vëllim, përmbyll tërë gamën e problemeve të ngritura në këtë vepër poetike, me një refleks filozofik a urtar.
Ditët janë shumë
Të bardha, të hirta, të zeza
Herë-herë të lehta
Shpesh shumë të rënda
Herë-herë të gjata
Si vetë nata
Një shkallëzim filozofik i veshur poetikisht, ku nuancat e botë-jetës së njeriut nisin nga e bardha, vazhdojnë me të hirtën dhe përmbyllen me të zezën. Ndërmjet atyre ngjyrave është e kotë të kërkosh lumturinë. Tjetër janë gëzimet. Ato zgjasin pak, siç zgjasin gjërat e mira, thotë poetja. Ditët, netët, të lehta, të rënda, të shkurtra, të gjata; lumturi, dashuri dhe shpërfillje në fund; çfarë tjetër mund të prisnim nga ky refleks poetik, pos ironisë?! Në këtë ngjeshje të rrallësuar nuancash dritë-hijesh deri te e zeza, shpërfaqet këngëtimi intelektual e humanitar: nuk harroj, po fal.
Nga poezia e Sadetes pësohet një tronditje, sa për t’u çliruar shpirtërisht, duke u edukuar në frymën intelektualiste të poetes. Në fund të fundit, mund të mos pajtohen të tjerët, por letërsia ka për qëllim propagandën, ama jo atë propagandën, kuptimin e së cilës fjalori na e ofron si përmbajtje fenomenesh negative.
***
Poezia e këtij vëllimi poetik është organizuar mirë, e lidhur ngushtë me gjuhën përmes së cilës është ndërtuar, ku secila prej fjalëve a shprehjeve të përdorura e grish domethënien e fjalës tjetër. Në këtë kontekst, disa nuanca kuptimore të vargjeve të shkëputura kastile flasin më mirë për organizimin poetik të fjalës së kësaj përmbledhjeje poezish: “Unë s’kam ku të shkoj më, veshur mure kam; po nisem pritjeve t’jetës; po ju fali bujtinë në mua; struket në hojet e ngushëllime të veta; rrëpirë e mprehtë sa lehtë na shkel ndër hapa” etj.
Gjuha poetike për bazë ka standarden, vetëm në dy-tri raste kanë zënë vend shprehje gege, si nana, gabue e ndonjë tjetër që i kanë shtuar kohës ngjyrën e ikur medoemos, duke i dhënë kumtimit nuanca ndjenjësore. Këto dy-tri shmangie estetike që gjuhësisht njihen si të ndërgjegjshme, që mes tjerash, flasin edhe njëherë për kujdesin e veçantë që ka poetja në raport me gjuhën.