/Tefik Selimi: “Pragjet e përgjakura, (ditar lufte)”, 1999. Botoi ShB, Pika 5/A, Gjilan, 2014/
Shkruan: Shefik SHKODRA
Ky libër është i ndarë në rrëfime nga dëshmitarët dhe ditar i autorit gjatë luftës së vitit 1999. Me një parathënie autoriale. Një hyrje për “Krimet barbare serbe që nuk harrohen”. Me dokumentacione dhe foto të shumta, që e bëjnë paraqitjen më reale të ngjarjeve dhe zhvillimet në anën Gjilanit dhe të Vitisë, e gati përgjatë gjithë Anamoravës dhe të Karadakut deri te Presheva.
“Pragjet e përgjakura”, apo përkujtimi i torturave dhe krimeve në popullatën shqiptare nga ushtria dhe paramilitarët e Serbisë. Pra, ishin tri formacione të pushtetit serb që kishin okupuar tërësisht Kosovën në vitet 1999: policia, ushtria dhe paramilitarët dhe me një armatim që do t’i kundërvihej Aleancës veri-atlantike. Shihej qartë se, skuadrat e paramilitarëve ishin pjesëmarrësit më të fëlliqtë, të sjellë ndoshta edhe nga shtëpitë përmirësuese, të droguar e krejtësisht pa ndjenja njerëzore. Këtë formacion e përbënin edhe fqinjët tanë të deriatëhershëm. Ata që jetonin me ne në këtë tokë. Qytetarë serbë të vendit shfaqeshin me maska. Pra, ky libër është i mirëseardhur jo vetëm për gjeneratat e ardhshme, por edhe për këto të sotmet, të cilët duket se i kanë harruar shpejt përjetimet ç’njerëzore. Dhe thua se, asgjë s’ka ndodhur në këto vende. Madje, përkujtohen ato data sipërfaqësisht e jo në mënyrë të denjë siç e meritojnë.
Paramilitarët serbë, me komandë për krime, nuk lanë vend pa e përgjak. Plaçka ishte puna primare e tyre. Rrallë kund shpëtuan shtëpi, monumente kulturore, fetare e objekte tjera ekonomike pa i shkatërruar. Pak e ndoshta askush nga qytetarët shqiptarë u ikën maltretimeve e kërcënimeve për vdekje. Vetë pamja e tyre tregonte panjerëzi. Të rekrutuar enkas për popullatën e pambrojtur e mjerisht shumë të pa organizuar në përballje në çfarëdo mënyre.
Në “Pragjet e përgjakura” të T. Selimit i gjejmë mbi njëzet rrëfime nga personat me përjetimet e tyre, kryesisht të terreneve të dy komunave, nga fshatrat, si në Zhegër, Llashticë, Gjylekar, Remnik, Radivojcë, Budrikë, Devajë, Lladovë, Malishevë, Ballancë, Zhiti, Nasalë, Smirë etj. shkurt, të të gjitha lokaliteteve të Gjilanit, e të Vitisë deri te Ferizaj, vendbanime të kësaj zone të cilat me dëshmitarë e dëshmi të përjetuara nga vetë personat e gjallë, bën që “Pragjet e përgjakura” të na sjellin në mend edhe njëherë lloje të ndryshme të skenave trishtuese. Këto rrëfime autori i kishte botuar nëpër periodikun e kohës menjëherë pas luftës. Për të gjitha ato kërcënime, vrasje në çdo vend, madje edhe dhunime si dhe djegien e shtëpive me njerëz brenda, qoftë pas vdekjes, qoftë edhe të gjallë, si ishte rasti në Velekincë të Gjilanit e gjetiu, janë gjurmë të pashlyeshme të kësaj kohe. Pra, këto kanë mbetur vulë e së keqes të kësaj pjese gjeografike, si në gjithë Kosovën. Ndonjëri prej të vrarëve nuk është gjetur ende, si bie fjala prof. Ahmetali Ajeti i Lladovës. Është vrarë nëna me fëmijë në gji, Vlora e vogël ka mbetur e gjallë që i ka parë të gjitha ato krime dhe ka marrë në mbikëqyrje fëmijën…etj. “Edhe sot familjarët e këtij fshati (Llashticë- sh.im) nuk i kanë tharë lotët e dhembjes. Lufta këtu mori 25 vetë”, por u bënë edhe shumë krime të tjera. (97).
Përqendrimi dhe vëzhgimi i ushtrisë serbe në një kazermë kodrinore, mbi lagjen Arbëria të Gjilanit dhe asaj të Zabeli i Sahit Agës, ishte lehtësi për pa lëvizjet e qytetarëve shqiptarë, andaj edhe dëbimin e tyre e kishin planifikuar. Prej aty mund të vështronin si në pasqyrë edhe pjesët e qytetit dhe rrugët e fshatrave të rrethinës. Në fundin marsit, duke parë se si qytetarët shqiptarë po entuziazmoheshin dhe po i përcillnin me kureshtje gjuajtjet e NATO-s në pikat strategjike të ushtrisë serbe, në shfryrje prej kësaj pike, (kazermës mbi qytet) ushtria serbe bombardoi disa shtëpi në Gjilan, në Lagjen Arbëria, është vrarë Ramadan Salihu, një vajzë dhe ka pasur edhe të plagosur nga pjesët e granatës. Në atë te Spitali vrau një vajzë, kjo si duket me pushkë. Në të njëjtën kohë këtë e bëri edhe në Malishevë të Epërme me vrasje e plagosje nga granata topi. Popullata duarthatë dhe e paorganizuar bartej prej një ane në anën tjetër, pa gjetur vend strehim. “Kur erdhi lufta e fundit …, na gjeti ‘gafil’ në shtëpi, në Zhegër. Kjo ditë ishte më tragjike për fshatin. Ishte dita e hënë e datës 29 mars të vitit 1999, kur, aty rreth orës 18,oo, … erdhën dhjetë autobusë me paramilitarë serbë”(34). Tefik Selimi, autor i librit “Pragjet e përgjakura”, këto ngarendje për shpëtim fëmijësh, grash e pleqsh, invalidësh e të sëmurësh, ishte vetë me ta dhe dëshmitar si shumë prej nesh. Ai i përshkroi bukur përjetimet gjatë gjithë kësaj kohe – për 78 ditë lufte. Dhe një pjesë tjetër të këtij teksti dokumentar e kishte emërtuar Ditar, prej 20 mars deri atëherë kur ishte e mundshme të shkruhet diç e tillë, më 15 – 16 prill 1999. Kur NATO bombardonte në caqet serbe, popullata shqiptare, për aq kohë ishte e lirë. Menjëherë, pas ndërprerjes së veprimit të saj, paramilitarët, policia serbe i mblidhnin popullatën dhe i torturonin. I ndiqnin nga shtëpitë e veta duke i kërcënuar e duke ua plaçkitur parat, arin e grave, duke ua rrëmbyer veturat dhe gjithë mallin tjetër. Pas i lënin shtëpitë e djegura. Kafshët e vetmuara, një pjesë të të cilave e rrëmbyen dhe e përdorën për ushqim, të tjerat i vrisnin dhe i lenin kudo nëpër ara e rrugë. Popullatën pra, e drejtonin kah u kishin rekomanduar liderët e tyre serbë: “Përtej bjeshkëve të Nemura!”
Autori i këtij teksti ishte vetë me familje, sikur që ishin edhe mija të tjerë. Një ndjekje e fshatrave të Gjilanit, si Përlepnicën një ditë a dy përpara Malishevës, kjo e fundit me Verbicën e Kmetocit, bashkë me ato të anës së Karadakut dhe të Moravës së Epërme janë përcjellë me plaçkitje e kërcënime, madje edhe me vrasje, më 16 prill. Qytetarët e disa lokaliteteve do ta ruajnë në kujtesën e tyre: “…sa herë vjen 16 prilli, banorët e Malishevës së Gjilanit, evokojnë të kaluarën e hidhur, duke i kapluar edhe dhembja për më të dashurit” (68). Atë ditë në mesin e të vrarëve rrugës, ishin edhe dy të rinj, nxënës të gjimnazit. Kjo përcjellje e dhunshme ishte për një pjesë kalimi i urës së Ferizajt dhe largimi për në vendet tjera.
Pjesa tjetër, të shumtën, deri aty dhe në mbrëmje i kthyen prapa. Në Pozharan kanë dalë dhe i kanë ndalë të gjithë traktorë e karroca të ngarkuar me familjarë të këtyre terreneve. Qytetarët vendas i kanë i bindur udhëtarët se, kthimi i tyre nuk mund të bëhej nëpër Kllokot. Aty qëndronte një grumbull paramilitarësh si një grumbull grenëzash, sigurisht me shtabin e tyre, gjithnjë të dejur. Gjithë natën gjuanin me armët të ndryshme. Pinin e hanin në llogari të këtij populli të plaçkitur e të sfilitur. Dhe jehonin britmat e çjerrjet e tyre me batare të sinkronizuara e të pandërprera deri në fundin e natës…
Po bujaria dhe kujdesi i qytetarëve të Pozharanit dhe të Sllatinës ishte i veçantë. Të gjithë i lëshuan shtëpitë. Kush prej tyre edhe me shpenzimet e veta i pritën këta “mysafir” dhe një mulli punonte pa ndërprerë për ta. Pas dhjetë ditësh, në marrëveshje me pagesë, paramilitarët serbë i lejuan të kthehen Malishevëb e Verbicën e Kmetocit në shtëpitë e tyre. Autori i librit në “Pragjet…” rrëfen se një pjesë e fshatrave të tjera kanë mbetur deri në fundin e luftës. Tefik Selimi e ka dhënë një kontribut të mirë lidhur me zhvillimin e këtyre ngjarjeve: në një anë për t’ua kujtuar këto shtrëngata të kësaj lufte gjeneratave më të reja që vijnë dhe dy, që t’ua rikujtoj edhe me këtë rast, atyre që i kanë përjetuar këto ngjarje dhe të tjera të kësaj natyre, sepse si shihet shpejt i kanë harruar gati të gjitha.
Na mban shpresa se, Tefik Selimi do të vazhdoi edhe me plotësime të tjera në kuadër të “Pragjeve të Përgjakura”. /2L ONLINE/