“VJESHTA LETRARE E GJILANIT” – për romanin e Aziz Mustafës, MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË …
Imer TOPANICA
NJË PROZË ME STRUKTURË KOMPLEKSE NARRATIVE
( Për romanin e parë të Aziz Mustafës, MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË, edituar nga Shtëpia botuese ARMAGEDONI, Prishtinë, 2020 )
“Mendoj se rrëfimtarët dhe poetët kurrë nuk do të mund të sigurojnë interpretim të denjë të veprave të veta”
Umberto Eco.
Ky konstatim i tij antologjik e ka, ndër të tjera, edhe një vlerë të madhe: i ka hapur dyert për ne që shkruajmë vështrime kritike për librat duke na garantuar shfajësimin nëse gabojmë në përpjekjet tona. Dhe kështu është meqë, po sipas Ecos: “Teksti letrar është një makinë e krijuar për nxjerrjen apo reflektimin e interpretimeve”. Po e citoj eruditin italian përpara se t’i rreshtoj fjalët për këtë libër që e kam lexuar sa ishte dorëshkrim, duke e marrë me mend që ai mund të jetë i pajisur me njohuri më të shumta për botën e letërsisë.
Disa plane narrative që ndjellin kërshëri
Aziz Mustafa është rrëfimtar i rryer, i pjekur dhe i talentuar. Këtë stil e dëshmon me këtë vepër. Guximi i tij për të eksperimentuar na jep një prozë që fabulën e ndërton në një strukturë komplekse narrative. Vetëm ta analizojmë prozën aty ku nis: Fillimisht mësojmë se si dr. Leonard Malaj, personazhi kryesor i romanit, heton te vetvetja disa simptoma të një sëmundjeje të rëndë. Dyshimet e tij dalin të jenë të vërteta dhe këtu nis qasja dramatike e personazhit dhe e romanit. Ato dalin të kenë lidhje me një tumor. Një “endoskopi” e përforcon dyshimin e tij, kurse një “biopsi” e vulosë. Tumori i identifikuar në “plikën e majtë të zërit në laringun e tij” e step për një çast, por nuk e gjunjëzon heroin. Lufta e tij e brendshme, përkatësisht beteja me sëmundjen, shkojnë paralelisht. Jeta e tij rrëfehet nga një narrator i gjithëdijshëm, i cili është eksplicit. Por, ky tip i narratorit nuk është një dhe i vetëm. Mund të themi me saktësi se struktura narrative përcaktohet nga ato që ne i quajtëm në fillim plane narrative.
Janë brenda romanit edhe tre ditarë pra, të paktën, edhe tre narratorë të cilët përbëjnë planet narrative të romanit. Një narrator eksplicit dhe i gjithëdijshëm që, siç thamë, hetohet më lehtë në fillim dhe në fund të historisë, gërshetohet me këta të tjerët që mund të tipizohen si implicitë. Të gjithë mundësojnë që mozaiku i fabulës të plotësohet, kurse fabula të ndriçohet nga disa kënde nga copëzat e perspektivës e të retrospektivës, në kuptimin e kontekstit kohor.
Ndër efektet e kësaj loje “me planet narrative” është edhe nxitja e kureshtjes te lexuesi meqë sa më komplekse që bëhet ajo, më vështirë është të kompletohen copëzat e fabulës. Kjo është sikurse loja e puzzles, që s’duhet të jetë aq e thjeshtë në mënyrë që të zgjidhet shpejt, por as shumë e ndërlikuar që ta bëjë lojtarin që të heqë dorë nga përpjekjet e sforcuara për ta zgjidhur.
Suzana, një lule në shkretëtirë, drejt identifikimit të temës
Teksti i këngës së Leonard Cohenit na paralajmëron se brenda do të lexojmë një histori dashurie, se do të lexojmë për një Suzanë. Ardhja e saj e zbutë tensionin dhe e shpëton historinë nga rreziku i teprimit nga toni dramatik. Në fakt, ajo veç e balancon atë. Kapitulli ku ajo kthehet në një narratore mund të qëndrojë si një tregim në vetvete (siç mund të qëndrojnë edhe shumë pjesë të tjera). Dr. Leonard Malaj dhe ajo takohen në Japoni në një konferencë shkencore. Bien në dashuri dhe martohen. Ndërkaq vajza e tyre, Flaka, është një personazh statik në fillim të “filmit”, por ajo rritet dhe mësojmë se arrin t’i artikulojë pyetjet e para që ia bën babait në fund të jetës së tij.
Nga drama në dramë deri te një katarsë
Në ditarin e Suzanës mësojmë se si ajo në fëmijërinë e vet e kishte përjetuar një dramë të rëndë familjare. Bashkëshorti i nënës së saj, për të cilin kjo mendonte se e kishte baba, e që ishte piktor i zvetënuar, kishte tentuar ta përdhunonte Suzanën. “Dashuria” e saj për zjarrin e ka origjinën në këtë copëz historie. Këtë e kuptojmë vetëm kur dr. Malaj fillon t’ia lexojë ditarin. Që në krye të herës ky i fundit frikësohet se mos do t’i kthehet pasioni për të djegur gjithçka sapo të marrë vesh për sëmundjen e burrit. Suzana pra, del të jetë një karakter interesant dhe i ndërtuar mjaft mirë.
Pasioni i saj i “zjarrtë” përplaset në natyrën e qetë të dr. Malajt. E kur ky i fundit vdes nga sëmundja e rëndë në fyt, ajo e përjeton katarsën shpirtërore.
Erëzat mbi tekst
Rrëfimitari shpeshherë i përcakton edhe elementet e tjera, madje edhe statusin e tekstit. Malaj këtu na vjen si një karakter i zakonshëm që do ta rrëfejë dramën e vet shpirtërore. Ai është një hero pa heroizma. Është një hero që vdes për ditë nga pak.
Emrat e autorëve e të librave të veçuar, të këngëve, të vendeve e referenca të tjera kulturore dhe historike, shfaqin para nesh gjeografinë ndërkombëtare përkrah shijeve të autorit për shtegtime në botë, veçanërisht në Japoni.
Pa synuar të trajtoj një temë të madhe, ai temën e bën të tillë. Ky është njeriu ynë, do të thonë lexuesit, njeriu i viteve të tranzicionit tonë. Një fëmijë që rritet në një sistem tjetër politik e që piqet e vepron në një tjetër. Romani ka edhe elemente autobiografike, por vështirë hetohen. Vetëm aq sa ka lejuar autori.
Për fund
Aziz Mustafa, me profesion të parë mjek, por me dell të veçantë poeti e prozatori, nuk i është paraqitur lexuesit shqiptar sa kanë vlerë veprat e tij në këto dy gjini. Njohuritë i tij për shkenca dhe për arte janë të pafundme dhe janë të paraqitura edhe në këtë vepër në mënyrë mjaft artistike. Duke kombinuar shkencën me artin, proza e tij, ashtu si një lloj parfumi i veçantë brenda romanit që personazhet i tërheq për hunde, na tërheq për hunde edhe neve dhe e bëjnë një prozë të këndshme dhe të lehtë për lexim. Prandaj, shpresoj shumë se me këtë prozë dhe me këtë botues emri i tij dhe vepra e tij do ta zënë vendin që e meritojnë në letërsinë shqipe.
U tha, u bëftë!