Dan IBRAHIMI
NJË PROZË E RRALLË DOKUMENTARE E LLOJIT TË VET
Proza dokumentare e veteranit të gazetarisë sonë, Hasan Bunjaku, “NJË GJAKIM I PAFAT”, është një prozë e rrallë dokumentare e llojit të vet, nëse jo edhe fare e veçantë në prozën tonë dokumentare në përgjithësi. Ajo është një pasuri e çmueshme fjalësh dhe shprehjesh dialektore të paraqitura në formën më besnike të së folmes popullore; një pasqyrim interesant në formë rrëfimi mbi doket, traditën, mendimin dhe shumëçka tjetër, që ka të bëjë me trashëgiminë tonë kulturore gojore të spektrave të ndryshme.
Të shkruarit e prozës dokumentare të këtij lloji natyrshëm kërkon njohuri të thella të traditës, si dhe përgjegjësi të lartë profesionale, të cilat Hasan Bunjakut nuk i kanë munguar. Si një pendë e rryer e gazetarisë, me intuitë dhe intelekt të lartë, ka ditur ta vjelë dhe ta sistemojë një lëndë të pasurisë sonë popullore të sferave të ndryshme dhe të na e sjellë në formën e këtij libri në mënyrën më besnike të mundshme.
Ndonëse të gjitha ndodhitë, “meselet”, adetet etj., autori i librit i ka nxjerrë nga kujtesa e një rrethi të ngushtë të trungut familjar të tij, ato janë në fakt një pasqyrim i mënyrës sonë të jetesës, perceptimit popullor të rrethanave të kohës, ndërtimit dhe evoluimit tonë të natyrshëm kulturor dhe historik.
Në dukje të parë si një monografi mbi trungun e Demirajve të Bunjakëve, ky libër shkon më tej duke kaluar në një monografi të një lloji fare tjetër, mbase unike te ne, të reflektimit në kohë, gjendje dhe hapësirë përkatëse jetësore të komunitetit.
Dialogjet me bukurinë e shprehjeve tradicionale gege, filozofia popullore, sarkazmat etj., të gjitha dialektore së bashku, e trupëzojnë rrëfimin më të saktë, më të mirë dhe më të bukur të jetës dhe mbijetesës së trungut familjar të autorit.
Rrëfimet dokumentare si: “Po, mirë, o shyl-e-byl, ti a je turk a shiptar…!?”, “Kjo Turki e kafshës keqe, do t’ju bjen shumë telashe”, “S’rrnohet ktu me kta shkije, qi po na bijnë n’qafë birgajrihak”, “Heu, po ku m’banën horrë kta xhanarë e armën s’e kisha…” etj., janë tamam ajo që quhet histori gojore dhe që është edhe më e saktë se historitë e dokumentuara në letra kancelarish, nëse jo në data – në perceptim të së vërtetës po se po. Vetë këta tituj e tregojnë saktë jo vetëm gjendjen nën pushtim, por edhe bindjen kundërshtuese jo vetëm individuale por edhe kombëtare ndaj pushtuesve. Rrëfimet e tjera dokumentare si: “Na duhet burrninë me e kthye me burrni”, “O Nel, qy mos po vjen noj musafir e po koritni me to”, “Vramë n’kofsh burrë, po t’shamën e t’ramën s’ta duroj” etj., e shpalosin më së miri kodin mbi të cilin jetonin shqiptaret dhe në rastin e rrëfimit konkret vetë Demirajt e autorit.
Me pak fjalë, ky libër të mahnit që nga tematikat e ndryshme të problematikave ballafaquese, mendimin, sarkazmin, bukurinë dhe fuqinë e fjalës, deri te sistemimi serioz i lëndës si tërësi. Mendoj që ky libër do ta zgjojë kërshërinë e lexuesve dhe studiuesve të fushave përkatëse si të leksikologjisë, dialektologjisë, letërsisë popullore dhe shumëçka që lidhet me etnokulturën tonë. Thjesht, ky libër i kalon caqet e një monografie familjare, dhe të monografive klasike te ne. Autori, Hasan Bunjaku, ia ka dhënë lexuesit një thesar të pakrahasueshëm. Fare në fund do të thosha që ky libër meriton të jetë në çdo bibliotekë dhe në çdo familje. /2LONLINE/
_____________________
( Autori i këtij shkrimi është recensent i këtij libri që është botuar këtyre ditëve nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu” )