Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit D. P.
I pandehuri D. P. (serb), duke dashur të shqetësoj të dëmtuarin Z. S. (serb), Toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës, përmes rrjetit social Facebook, publikon fotografi të ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj me uniformë ushtarake, si dhe uniformë dhe flamuj të FSK-së, ku pas këtij publikimi i njëjti ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes, duke u linçuar publikisht nga persona të ndryshëm përmes rrjetit social.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme dhe papërshtatshme
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.