Sot bëhen 15 vite nga rënia heroike e dëshmorit të kombit Bafti Haxhiu-Kajolli. Dëshmori i Kombit Bafti Haxhiu u lind në fshatin Skifteraj të Anamorevës së poshtme në një familje atdhedashëse e dëshmuar brez pas brezi nëpër luftëra dhe në balle të kauzës kombëtare për çlirimin e vendit.
Shkruan: Samet IDRIZI
Bashkëluftëtar i Dëshmorit të Kombit
(2L ONLINE) – Familja e Bafti Haxhiu kishte dhënë edhe më herët dëshmorë në luftërat e gjata për çlirimin e Kosovës, pothuajse në çdo lufte që zhvilluar në trojet shqiptare e sidomos në Karadak.
Baftiu si i ri kishte filluar të merret me veprimtari ilegale për çështjen e kauzës kombëtare. Ai si i ri që detyruar të migroj në Bernë të Zvicrës për të punuar, nga që në Kosove dita ditës po u ngushtohej hapësira e mbijetesës familjes së tij nga represioni pushtues i shtetit serb.
Ai ne Zvicër përkundër punës së rendë fillon edhe aktivitetin e tij ilegal dhe financiar në mbështetje të ilegales me qellim të përgatitjes për luftë për çlirimin e vendit.
Baftiu ishte arrestuar shpeshherë nga policia e shtetit serb gjatë pushimeve kur kthehej në vendlindje, Ai qe torturuar dhe akuzuar për veprimtari armiqësore ndaj shtetit serb, por edhe përkundër arrestimeve, torturave ai prapë vazhdoi stoikisht kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.
Lufta e shenjet e UÇK-së Baftiun e zë në Bernë të Zvicrës, ai tashme punonte shume në fondin “Vendlindja thërret”, në mbledhjen e mjeteve financiare dhe rekrutimin e të rinjve për të ndihmuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por kur ra kushtrimi për liri edhe pse i shtyrë pak në moshë ai ju bashkëngjitë radhëve të UÇK-së dhe nën përgjegjësinë e të qenurit zëvendëskomandant i Kompanisë TF-2 të Brigadës 128, bie heroikisht me date 26.05.1999 ne Betejën e përgjakshme të Gorozhubit të Hasit pasi ishte thyer kufiri shqiptaro-shqiptar.
Në betejën e Gorozhubit bien edhe shumë trima të trojeve gjithë andej shqiptare, si Astrit Suli nga Kuçova e Beratit, Aliriza Selmani nga Tetova, Florim Rushiti nga Medvegja, Sali Zenuni nga Lubishta e Vitisë dhe shumë e shumë trima tjerë nga Kosova.
Dëshmori i kombit Bafti Haxhiu në betejën e Gorozhubit luftoi si Herkuli pa trembur syrin fare, ja fali jetën lirisë së Kosovës që aq shume e deshi.
Tani ai prehet i qetë nën qiellin e Kosovës së lirë dhe të pavarur. /2L ONLINE/