Minsitia e Shëdnetësisë përmes një komunikate ka bërë me dije se sipas raportit ditor të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në këtë klinikë sot janë duke u trajtuar gjithsej 34 pacientë me Covid-19.
Nga këta 34 pacientë, 26 prej tyre janë në gjendje stabile dhe 8 prej tyre kanë nevojë për oksigjenoterapi.
Klinika Infektive, bën të ditur, gjithashtu, se dje ka regjistruar edhe personin e parë nga stafi shëndetësor i Klinikës Infektive, që ka rezultuar pozitiv në Covid-19.
Bëhet fjalë për një infermiere të Klinikës Infektive, e cila ka qenë në kontakt të afërt me pacientët e hospitalizuar në këtë klinikë.
Klinika Infektive shpreh mbështetjen për punëtoren e saj për ta përballuar infeksionin dhe thekson se profesioni i mjeku, e në veçanti i infektologut bart me vete edhe rrezikshmërinë e infektimit gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe, ndonjëherë, kjo nuk mund të evitohet përkundër respektimit maksimal te masave të mbrojtjes personale.
“Rasti i koleges tonë nuk do të na dekurajoj dhe demotivoj që së bashku me kolegët e tjerë të ofrojmë ndihmën mjekësore për pacientët tonë. Këtë do ta bëjmë në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.