Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) Burim Ramadani, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant, Rrahman Rama dhe oficeri i lartë, kolonel Jeton Dreshaj, po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Republikën e Francës.
Delegacioni i MFSK-së i shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Paris z. Qëndrim Gashi u prit nga z. Thomas Bertin, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës.
Në takimet që zhvilloi delegacioni i FSK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes të Francës, janë diskutuar arritjet e FSK-së, bashkëpunimi dypalësh dhe avancimi i marrëdhënieve ndërmjet dy ministrive.
Zëvendësministri Ramadani dhe gjeneral Rama në takimet e tyre me zyrtarët francez biseduan edhe për sigurinë në Kosovë dhe rajon, si dhe për të ardhmen e FSK-së dhe mundësitë që FSK-ja në të ardhmen të bëhet pjesë e Operacioneve Paqeruajtëse krahas ushtrive të vendeve të NATO-s.
Në të gjitha takimet e delegacionit të MFSK-së me zyrtarët francez u arrit konstatimi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës për çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes është kontribut për partneritetin e përgjithshëm midis dy vendeve si dhe për sigurinë rajonale dhe më gjerë.