U mbajt koncerti i këngës për fëmijë dedikuar Diasporës me moton “Një buzëqeshje dhe një këngë për diasporën”. I organizuar nga Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë në bashkëpunim me OJQ- Lyra, Koncerti mblodhi audiencë kryesisht nga bota fëmijërore.
Interpretuan solist të njohur Gjilanas të cilët tanimë kanë të dëshmuar talentin e tyre në këndim edhe në festivalet e ndryshme të cilat mbahen në Gjilan dhe më gjerë.
U interpretuan 11 këngë të dedikuara botës fëmijërore por edhe këngë të cilat trajtuan temën e mërgatës.
Hëna Ajeti e filloi koncertin me një këngë dedikuar babit të saj i cili punon jashtë vendit kurse musafire në koncert u paraqit edhe një vajzë soliste e cila jeton në Zvicërr, Trëndelina Nuhiu e cila interpretoi një “cover” nga Dua Lipa.
Koncertin e shoqëroi edhe grupi i njohur gjilanas i vallëzimit “Dancing House” kurse kori i fëmijëve “LYRA” i udhëhequr nga Albina Demolli, përcolli tërë kohën këngët e kënduara.
Udhëheqësi artistik, prof. Kushtrim Jakupi tha se manifestime të tilla janë të domosdoshme në këto ditë dinamike në qytetin tonë, sepse fëmijët duhet të njihen me Diasporën dhe të kuptojnë rëndësinë e vizitave të familjarëve tanë të cilët bëjnë shumë për vendin tonë, por edhe për të ardhmen e tyre, prandaj dhe mënyra më e mirë është që ata të shprehin falënderimet e tyre “me një buzëqeshje dhe me nga një këngë”.
Në koncert interpretuan edhe Tuana Ismajli, Dea Berisha, Amar Maliqi, Ledion Azizi, Tara Bilalli, Bora Shurdhani, Alea Syla, Edi Shefkiu dhe Triola Jakupi e cila dhe udhëhoqi programin.