(2LONLINE) – “Nisma për Kosovën” Dega në Gjilan, themeloi këshillin nismëtar edhe në fshatin Bresalc dhe në këtë tubim kanë aderuar shumë qytetarë të fshatit, ku në mesin e tyre kishte edhe mjaft të rinj. Ata shprehën gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre në afirmimin e vlerave demokratike në subjektin më të ri politik “Nisma për Kosovën”, thonë drejtues të këtij subjekti politik.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Bajram Hasani, kryetar i Këshillit nismëtar, Dega në Gjilan si dhe bashkëpunëtorët e tij . Me këtë rast Hasani, i falënderoi të pranishmit për përzgjedhjen e tyre që kishin bërë me rastin e aderimit në “Nisma për Kosovën” dega Gjilan.
Po ashtu ai i informoi për objektivat dhe synimet që do ti ketë Nisma, në radhë të parë zhvillimet demokratike brenda subjektit ku do të vlejë parimi “Një anëtarë një votë”.
“Kjo do të thotë se të gjithë anëtarët do të ndjehen të barabartë dhe përfaqësimi do të jetë korrekt gjatë sendërtimit të strukturave udhëheqëse të Nismës. Andaj në rast se na jepet mundësia të qeverisim me institucione Qendrore apo Komunale, ne do të qeverisim me profesionalizëm dhe ndershmëri e jo si deri më tani që kemi pas dhe kemi keqqeverisje, korrupsion dhe shumë dukuri të tjera negative”, ka thënë kreu i Nismës për Gjilan, Bajram Hasani. /2lonline/