(2L ONLINE) – Përfaqësues të NISMA për Kosovë, Dega në Gjilan kanë ftuar qytetarët gjilanas t’i legalizojnë ndërtimet e tyre pa leje duke i regjistruar ato përmes një procesi që ka filluar dhe do të zgjas deri më 5 shkurt, ndërkohë që kanë kritikuar pushtetin në Gjilan se nuk ka bërë sa duhet dhe nuk i kanë njoftuar sa duhet qytetarët për këtë çështje.
Ekrem Jerliu, Kryetar i Komisionit për Shërbime Publike që funksionon në kuadër të NISMA-s, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se ky komision ka mbajtur takimin e saj të parë, në të cilin janë diskutuar problemet që i preokupojnë qytetarët e komunës së Gjilanit.
“Ne kemi biseduar me shumë qytetarë se a kanë dëgjuar që ka filluar Legalizimi i Ndërtimit pa Leje dhe shumica e tyre thonë se nuk janë të njoftuar prej personelit komunal për një ofertë të tillë. Kjo tregon se organet komunale nuk e kanë marrë seriozisht komunikimin me qytetarë dhe njoftimin e tyre”, thotë Jerliu i NISMA-s.
Ai ka ftuar qytetarët të legalizojnë ndërtimet, ta shfrytëzojnë rastin dhe të bëjnë regjistrimin e ndërtimeve pa leje që mund të bëhet vetëm deri me 5 Shkurt 2015. Regjistrimi është falas dhe duhet plotësuar formulari i regjistrimit i cili dorëzohet në Drejtorinë e Urbanizmit.
Përndryshe Jerliu beson se në NISMA janë të përkushtuar dhe të përgatitur profesionalisht, të pastër moralisht, dhe të besuar në zhvillimin e komunës ku qytetari është para se gjithash, andaj edhe do të angazhohen në këtë drejtim. Ai shtoi se NISMA edhe me komisionin për Shërbime Publike, të cilën e drejton, do të jenë dëshmi faktesh për qytetarin se jan ëtë përkushtuar, se dinë dhe ia dalin të monitorojnë punën e kuvendit dhe drejtorive përkatëse. /2L ONLINE/