Manifestimit tashmë tradicional, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, ka nisur sot edicionin e saj të tetë, nën organizimin e Ars Clubit “Beqir Musliu”, në bashkëpunim edhe me Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”.
Para të pranishmëve shkrimtari Sabit Rrustemi, drejtues i Ars Club-it “Beqir Musliu”, në emër të organizatorit tha se këtë vit kjo ngjarje është edhe më e veçantë, pasi mbahet në objektin e ri të bibliotekës, në shtëpinë e librit, autorëve dhe të lexuesve gjilanas e më gjerë.
Para krijuesve dhe artdashësve gjilanas u paraqitën botimet e reja të këtij viti të Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, për të cilën folën studiuesit e letërsisë, Nexhat Rexha e Anton Nikë Berisha, kurse u lexuan edhe pjesë poetike prej autorëve që kanë botuar këtë vit me këtë shtëpi botuese.
Në këtë rast, Nexhat Rexha, theksoi se jeta kulturore e kësaj ane është zhvilluar dhe bashkëjeton me fjalën e bukur artistike përmes botimeve dhe prurjeve të reja, të cilat çdo vit pasurojnë krijimtarinë letrare shqiptare.
Ndërkaq, profesori i letërsisë shqipe, studiues dhe përkthyes i shumë veprave letrare nga gjuhë të huaja, Anton Nikë Berisha, teksa prezantoi tri nga botimet e këtij viti, ritheksoi rëndësinë e shkrimit të librave, duke thënë se botimi është dëshmia më e mirë se në atë vend ka jetë.
E për përkthyesin e veprave të shumta, rëndësi të veçantë ka edhe letërsia e përkthyer.
Në këtë hapje të këtij manifestimi po ashtu u komunikuan edhe rezultatet e konkursit letrar tematik për figurën e Idriz Seferit, në kuadër të “Vitit të Iidriz Seferit”, shpallur nga Komuna e Gjilanit.
Nga juria u vlerësuan punimet më të mira në poezi, prozë e ese.
Përndryshe, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, po mbahet për vitin e tetë me radhë dhe do zgjasë rrugëtimin përgjatë dy muajve me aktivitete të ndryshme letrare e artistike.
Më 18 nëntor do të shtjellohet portreti letrar i Mehmetali Rexhepit si dhe do të ketë dhurime librash në dy shkolla, një në komunën e Gjilanit e një në komunën e Vitisë.
Ndërsa gjatë muajit dhjetor, veprimtaritë e Manifestimit vazhdojnë me “Mysafirët e Vjeshtës…”, me përurime librash letrar si dhe me shënimin e 40 vjetorit të krijimtarisë letrare të shkrimtarit gjilanas, Sabit Rrustemit. /Elife Sherifi/