Të hënën fillon mësimi nëpër shkolla dhe puna në institucionet e Shqipërisë. Meteorologët parashikojnë një javë të ftohtë, duke qenë se jemi dhe në kulmin e dimrit.
“Temperaturat të hënën do të kenë rënie të ndjeshme. E hëna dhe e marta parashikohen të jenë dy ditët më të ftohta të kësaj jave, ku termometri do të zbresë në -10 apo -11 gradë në zonat malore. Edhe bregdeti dhe zonat e ulëta të jenë në vlera negative. Tirana mund të shkojë edhe në -2 gradë. Përjashtim bën Saranda, e cila mund të shënojë vlerën 1 apo 2 gradë”, shprehet Lajda Porja, meteorologe.
Në 15-ditëshin e parë të janarit nuk do të kemi ndonjë çudi sa i përket reshjeve, do të jenë shumë pak të pranishme.
“Ky i ftohtë do të qëndrojë shumë pak, për dy ose tre ditë e më pas temperaturat do të vijnë në rritje graduale përgjatë dy javëve të para të janarit”, vijon Porja.
Masat ajrore me origjinë polare e kanë përfshirë prej disa ditësh një pjesë të madhe të kontinentit evropian. Kryesisht Evropa qendrore dhe perëndimore, Gjermania, Franca, Austria, po përjetojnë të ftohtë të acartë. Ndërkohë në kontrast me Evropën, Australia po përvëlohet nga zjarret.
“Përgjithësisht janari do të ketë shumë ditë me mëngjese të ftohta, por pa reshje. Episodet me reshje 24 apo 48 orësh janë spostuar në 15-ditëshin e dytë të janarit”, përfundon meteorologia.