Ministria e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë po fillon përkrahjen e parë zyrtare ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës në ngritjen profesionale për mësuesit e shkollave shqipe.
Këto janë rezultatet e marrëveshjes së arritur në Tiranë mes deputetit popullor, Fatmir Hasani dhe ministres së arsimit, Lindita Nikolla.
“Ne kemi pasur edhe kërkesa tjera për qeverinë shqiptare dhe do të fillojmë me seminarin për ngritje profesionale të punëtorëve arsimorë në lëndën e gjuhës shqipe dhe historisë”, deklaroi për Titulli.com, Fatmir Hasani deputet në parlamentin Serbisë.
Sipas koordinatorit të këtij seminari nga administrate komunale e Bujanocit, Agmi Hasani do të marrin pjesë 92 mësimdhënës shqiptarë nga shkollat fillore dhe të mesme të komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
“Seminari do të mbahet në Tiranë nga 17-19 Shkurt në të cilën do të ligjërojnë trajnerët e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë. Gjithashtu të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata “, tha Hasani për Titulli.com.
Ky seminar shënon një hap pozitiv në ngritjen profesionale të mësimdhënësve shqiptarë në Luginë të Preshevës dhe njëkohësisht është fillim i mbarë i qeverisë shqiptare në mbështetje për shqiptarët në këtë rajon.
BURIMI: Titulli.com