Manifestimit Mbarëkombëtar i Kulturës “Flaka e janarit 2023”, ka flakëruar tutje edhe me aktivitete në fushën e enigmatikës.
Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” nga Gjilani ka organizuar këtë të shtune, Garat e Enigmatëve në Zgjidhjen dhe në Përpilimin e Enigmave, ku enigmatë dhe dashamirë të enigmatikës, nga Gjilani, Prishtina, Mitrovica, Gjakova dhe nga Tetova, patën mundësi të jenë pjesë e kësaj ngjarje të veçantë nga kjo fushë.
Garuesit i kanë matur njohurit e tyre duke e testuar veten, por edhe duke u argëtuar në këto lloje të enigmave: fjalëkryq klasik, sudoku, rebus dhe angram, derisa në garën për përpilim ka qenë detyrë plotësimi i figurës enigmatike, anagrami dhe rebusi.
Shemsedin Kryeziu, kryetar i Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”, ka bërë me dije se ndihen të nderuar që në kuadër të një Manifestimi unik siç është “Flaka e Janarit”, identitet i Komunës së Gjilanit, tani kemi gara edhe në fushën e enigmatikës, ka falënderuar të gjithë të angazhuar në kuadër të Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”, për kontributin e tyre në organizim të kësaj gare si dhe po ashtu falënderoi edhe të gjithë pjesëmarrësit garues, në të dyja disiplinat, edhe në zgjidhjen edhe në përpilimin e enigmave, që me prezencën dhe garimin e tyre e kanë madhështua këtë ngjarje.
Organizatori i kësaj ngjarje kishte përcaktuar edhe juritë. Juria e Përpiluesve të gjëzave Enver Hajrullahu, Skender Tullumi dhe Mensur Mamuti si dhe Juria e Zgjidhësve të gjëzave: Shemsedin Kryeziu, Ismet Shkodra dhe Nexhat Hajrullahu.
Tri vendet e para në të dyja disiplinat, edhe në zgjidhje edhe në përpilim të enigmave do të shpërblehen me mirënjohje, derisa fituesit e vendeve të para edhe me kupa, por të cilët do të bëhen të ditur në natën e fundit të këtij Festivali ku edhe do të mbahet Gala Mbrëmja e cila e përmbyllë Festivalin e sivjetmë të “Flakës së Janarit”, pikërisht me nderimin e të gjithë atyre që nderohen me çmime për sukseset a arritura në shtyllat përkatëse të manifestimit.
Përndryshe, pas garave në këto disiplina, organizatori ka paraparë edhe një tryezë ku do të debatohet për enigmatikën dhe të arriturat e saja si dhe promovimi i librit të ri ” RROKJESORË MAGJIKË 4X4″ me autor Zijadin Hasani, mjeshtër i enigmatikës.
“Flaka e Janarit 2023”, vazhdon tutje rrjedhën e saj me aktivitetin e radhës të Festivalit të Dramës “Talia e Flakës”, ku në program është shfaqja e natës së gjashtë, e fundit për këtë edicion të “Talias…”, ku para artdashësve do të jepet shfaqja “Pak Pakt” , nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Tiranë. /2LONLINE/