Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.
Kyeministri Isa Mustafa ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri i parë i deritanishëm dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, ditën kur është zgjedhur në postin e presidentit të Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Unë dëshiroj që në emër timin dhe tuajin ta falënderoj për bashkëpunim, për punë, dhe për kontributin që i ka dhënë punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe gjatë këtij mandati, edhe mandateve tjera. Në emër timin dhe tuajin i urojmë suksese në pozitën e re më të rëndësishme të vendit, presidentit të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Kabineti qeveritar miratoi rregulloren për punën e Këshillit përgatitor për themelimin e fondit të sigurimit shëndetësor. Kjo rregullore ka për qëllim të rregullojë përbërjen, detyrat, përgjegjësitë dhe punën e këtij Këshilli.
Në vijim, kabineti qeveritar ka aprovuar Udhëzimin administrativ për mënyrën e autorizimit të trupave për vlerësimin e konformitetit. Udhëzimi përcakton procedurën e aplikimit për autorizim, kërkesat e përgjithshme të cilat duhet të plotësohen për dhënien e autorizimit, vazhdimit, zgjerimit, pezullimit dhe tërheqjen e autorizimit për trupat për vlerësimin e konformitetit.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e një anëtari në Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Me vendimin e aprovuar nga kabineti qeveritar i është propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimi i Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë. Ky bord ka mandatin të këshillojë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për çështjet e mbrojtjes së mjedisit.
Qeveria ka miratuar buxhetet komunale për vitin 2016, për Komunën e Gllogocit, Mitrovicës veriore, Zubin Potok dhe Leposaviq, pas ri-aprovimit të këtyre buxheteve nga ana e kuvendeve komunale të këtyre komunave në përputhje me Qarkoret Buxhetore.
Është aprovuar në mbledhje edhe vendimi për ndarjen e mjeteve për Prokurorin e Shtetit.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për nismën e lidhjes së Marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST Sh.A. dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut- KOSST Sh.A.
Është miratuar edhe vendimi preliminar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, pika kufitare në Kapi, Komuna e Kamenicës.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për Manifestimin gjithëpopullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar është informuar edhe për kërkesën e Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë për marrjen e linjës së re kreditore nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e anëtarëve në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kryeministri Isa Mustafa foli për ndryshimin dhe plotësimi e Ligjit për Prokurim Publik dhe hyrjen në fuqi pasi që është nënshkruar nga presidentja e vendit dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.
“Sipas ligjit janë pesë anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Dy anëtarë e vazhdojnë punën sipas mandatit të tyre. Duhet të zgjidhen edhe tre anëtarë të tjerë. Ligji parasheh që për çdo anëtarë duhet të japim dy propozime, prandaj ne i japim gjashtë propozime Kuvendit. Komisioni i Kuvendit i përcaktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të verifikojë përshtatshmërinë e kandidatëve dhe do ta bëjë rangimin e kandidatëve dhe do t’i propozoj pastaj Kuvendit zgjedhjen e tyre. Të gjithë kandidatët duhet të kenë provimin e jurisprudencës dhe të plotësojnë kushtet si për gjyqtarë. Ato kritere sipas informatave që kemi janë plotësuar edhe me këto propozime. Është edhe një prej kushteve të liberalizimit të vizave, sepse me këtë e përmbushim edhe kushtin sa i përket Prokurimit Publik”, tha kryeministri Mustafa.