Kryetari Haliti nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi me MZHE-në, me të cilën, shkollat e mesme në Pozheran e Viti, do të përfitojnë pajisje të teknologjisë së informacionit dhe inventarë.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, me të cilën parashihet realizimi i projektit “ Furnizimi me pajisje të teknologjisë së informacionit për shkollat e mesme-Qendrat Kreative”, konkretisht për Shkollën e Mesme të Lartë “Kongresi i Manastirit” në Pozheran dhe të Shkollës së Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti.
Këto shkolla pos pajisjeve teknologjike do të pranojnë edhe inventar i cili do të jetë në interes të nxënësve që ndjekin mësimet në shkollat profesionale.
Sipas kësaj marrëveshje komunës së Vitisë, do të ju bëhet transferi i pasurisë jo-financiare, përkatësisht të pajisjeve teknologjike dhe inventar në shumën prej më shumë se 18 mijë euro për këto dy shkolla të mesme.
Përndryshe bëhet me dije se qëllimi i kësaj marrëveshje është përmirësimi i kushteve të punës në institucionet arsimore.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti falënderoi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, për këtë projekt dhe potencoi se nga kjo do të përfitojnë nxënësit dhe mësimdhënësit në shkollat e mesme në Pozheran e Viti.