/2L ONLINE/ – Në Xhaminë e Madhe në Gjilan, sot para namazit të drekës u mbajt takimi me haxhinjtë e rinj që sivjet do e vizitojnë Qabenë (Meken) dhe të kryejnë shartin e pestë të islamit-Haxhin. Sivjet nga Territori i Komunës së Gjilanit vendet e shenjta -Meken dhe Medinën do ta vizitojnë 51 haxhinjë. Solemnitet të këtilla në prani të shumë besimtarëve islam mbahen vetëm njëherë në vit kur edhe shkojnë haxhinjtë në vendet e shenjta.
Takimi u organizua nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjilanit,me këtë rast kryeimami Mulla Ilaz ef. Mustafa i përshëndeti dhe iu uroi rrugë të mbarë dhe qëndrim e kalim sa më të mirë në vendet e shenjta në Meke dhe Medine. Para se të bëhej duaja e haxhinjve, Mulla Junus ef. Ramadani foli për Haxhin, rëndësinë dhe historikun e Haxhit . Mulla Junusi pasi përmendi edhe një historik të shkurtër të qytetit të shenjtë Mekës që nga ndërtimi i Qabesë nga ana e Ibrahimit alejhiselam e deri më sot, foli edhe për rëndësinë e Haxhit dhe për kryerjen e shartit të pestë të Islamit.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilani Naim ef. Aliu, pasi iu uroj rrugëtim të mbarë dhe qëndrim të rehatshëm në vendete e shenjta dhe me një uratë që Allahu t ua pranojë haxhin dhe të gjitha lutjet e duatë gjatë ditëve sa qëndrojnë atje, ua bëri edhe Duanë(aminin) 51 haxhinjve të rinj që sivjet nga Komuna e Gjilanit e kryejnë shartin e pestë të Islamit-Haxhin.
Po ashtu të pranishmit- haxhinjve iu uroi rrugëtim të mbarë edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu. Të përcjellë nga udhëheqësit e tyre Mulla Ilaz ef. Mustafa dhe Mulla Ilmi ef. Krasniqi, 51 haxhinjt e rinj gjilanas, së bashku me 14 haxhinjtë e Komunës së Vitisë, për në Meke (Xhide) do të nisen të dielën më 4 shtator. /2L ONLINE/