(2L ONLINE) – Gani Neziri, është politikan gjilanas i njohur për atë që shpeshherë flet pa dorëza. Ai tani së fundi i vlerëson tejet të pakuptimta dhe tendencioze tentativat për të njollosur veprimtarinë e SHIK-ut, që sipas tij, sa ishte aktiv, ka qenë organi më i dinjitetshëm kombëtar, ishte kujdestari, respektivisht pararoja e ushtarëve të lirisë së Kosovës.
I pyetur nga Portali 2L ONLINE, se a është aktiv ende SHIK-u dhe a ishte pjesë e kësaj strukture, Neziri thotë jo, sepse tani kanë pushuar arsyet për të qenë aktiv, e ka kryer mandatin e saj, ndërkohë që tani kemi edhe organet shtetërore, kemi AKI-në shtetërore. Ndërsa, për vete thotë, se përkundër dëshirës së madhe për të qenë pjesë e saj, fatkeqësisht pranon se aftësitë e tija dhe zotësia nuk ka qenë në nivel për një strukturë të tillë të dinjitetshme sepse të gjithë aty kanë qenë të dinjitetshëm dhe të zot.
Ndërsa, për ata që flasin kundër SHIK-ut, Neziri thotë se kundër SHIK-ut mund të jenë veç se dy struktura në nivel vendi, struktura e parë është ajo që nuk e di të vërtetën reale të veprimtarisë së kësaj strukture dhe e dyta janë ata të cilët biografitë e tyre personale e familjare e kanë të dyshimtë.
Por, Neziri mendon se do të vije dita, kur do të mësohet e vërteta dhe edhe këto struktura do të fillojnë t’i respektojnë ata veprimtarë dhe do të ndjehen keq për mosbesimin që e kanë pas dikur.
Përndryshe, Neziri ka rikujtuar edhe kohën kur edhe nga bashkëpartiak ka pas përfolje se ai mund të kalojë në Vetëvendosje dhe në këtë drejtim sqaron se kjo ishte bërë qëllimisht nga një pakicë e aktivistëve të ndërsyer nga dikush-dikush që i ka penguar prezenca e tij në PDK dhe autoriteti në rritje i tij. Por, se kalimi i tij në Vetëvendosje ka qenë dhe është krejtësisht i pamundshëm, ndër tjerash edhe për shkak të qëndrimit që ka kjo Lëvizje për SHIK-un.
Neziri thotë se nuk mund ta gjejë veten në një mjedis ku sulmohet aq keq veprimtaria e SHIK-ut, e këtij organi më të dinjitetshëm kombëtar që kishte Kosova. /2L ONLINE/