(2L ONLINE) – Ditë më parë nga OVL e UÇK-së në Ferizaj u dogj publikisht libri “Këmbët e gjarprit” të autorit Veton Surroi. Një veprim i tillë nxiti reagime nga më të ndryshmet. Njëri nga ata që ishte pjesë e këtij akti, e që vazhdon ta vlerësoi si një akt krejt normal i shprehje së një revolte, është edhe Gani Neziri, ish pjesëtar i UÇK-së, ish drejtor i Kadastrës në Gjilan dhe aktualisht anëtar i kryesisë së PDK-së në Gjilan.
I pyetur nga Portali 2L ONLINE, rreth komenteve të shumta prej atyre që e mbështetën një veprim të tillë, duke vlerësuar edhe si akt patriotik, e deri te ata që e kundërshtuan këtë e që e vlerësuan si akt i ultë e primitiv, Neziri thotë se nuk është as njëra as tjetra, por se, sipas tij, është thjeshtë shprehje e një revolte, e një papajtueshmërie që është krejt legjitime, përmes një djegie simbolike të një kopje fizike të një libri me të pavërteta e antihistorike, të cilën gjë e di edhe vet autori i saj.
“Kur e lexova librin në fjalë jam ndier shumë i ofenduar. Nuk jam ndier mirë dhe se fletë për fletë i kam nënvizuar të gjitha ato gjëra të shkruara me të cilat nuk pajtohesha. Por, nuk më ka shkuar mendja për ta djeg librin apo për të bërë një reagim përmes shkrimit. Por, kur u vura në dijeni se ka papajtueshmëri publike edhe nga të gjithë shokët e mi, ish ushtarë të UÇK-së, kudo qofshin ata nëpër Kosovë, e konkretisht në Ferizaj, ku revolta është si e imja, vendosa të jem pjesë e shprehjes publike të kësaj papajtueshmërie për të djegur publikisht këtë libër, si simbolik e djegies së përmbajtjes së saj”, ka thënë Neziri.
Ai thotë se mund ta sheh dikush si një akt jo i mirë djegien e një libri, por assesi nuk mund të cilësohet si një akt i ulët, sepse i ulët është vetëm autori me përmbajtjen e tij që i ka dhënë këtij libri.
‘Duke e ditur se ne nuk e kemi fuqinë mediale si e ka Surroja e kemi zgjedh si rrugë djegien simbolike të një kopje fizike me përmbajtjen e të cilit ne nuk pajtohemi, e assesi nuk kemi atakuar autorin, pra nuk e dogjëm autorin, por kopjen fizike të librit të tij”, thotë tutje Neziri.
E, për ata që “vajtojnë”, djegien e librit, u them se ne dogjëm simbolikisht një ekzemplarë, libri i tillë ndodhet kudo nëpër librari dhe kushdo mund të shkojë, ta blejë e lexojë, por se do ta sheh se ky libër, jo i uruar, e tendencioz, është shkruar nga autori nën ndikimin e revoltës ndaj Hashim Thaçit – veç se nuk e bëri Ministër të Punëve të Jashtme! Dhe se, ky libër u dogj nga OVL UÇK, nën ndikimin e revoltës ndaj autorit që keqinformoi publikun duke ofenduar krerët udhëheqës të tyre gjatë luftës. E, edhe lexuesit posa ta lexojnë, do ta përbuzin edhe ata, siç bëmë ne (përmes djegies), për shkak të të pavërtetave në të, thotë Neziri.
Ai thotë se e ka irrituar përpjekja kur Surroja, siç i thotë ai, përpiqet t’i ndaj ushtarët e UÇK-së, shokë të vjetër të bashkëveprimit, në të mirë që janë dëshmorët, krenaria e kombit dhe në të këqijtë, që janë ushtarët e gjallë, që sipas autorit të këtij libri, janë fatkeqësia kombëtare.
Neziri thotë se shihet se Surroja i paska dashtë krejt pjesëtarët e UÇK-së të vdekur, për t’i lavdëruar e vlerësuar si të mirë, ata së paku fizikisht janë të vdekur dhe nuk ja zënë më rrugën synimeve të Surrojës.
Përndryshe, lidhur me atë që Surroi i përmend këmishat e zeza, në një reagim të tij, Neziri thotë se Surroja të flejë rehat se askush nuk do të vesh këmisha të zeza sepse koha e tyre ka kaluar, Serbia më nuk është këtu.
Ai thotë se asnjëherë nuk është dyshuar në zotësinë e Surroit, por gjithmonë është dyshuar me të drejtë në qëllimet e tija, që edhe veç dolën në dukje me librin e tij famëkeq.
Neziri ka kujtuar kur Surroi në vitin 1989 zgjidhet Kryetar për Kosovë i UEJD, që fillimisht u krijua si organizatë, ndërsa më pas u shndërrua në parti (Savez Reformskih Snaga) të kryesuar nga Kryeministri Federal jugosllav, Ante Markoviç. Parti që përpiqej të merrte pjesë në zgjedhjet për parlamentet e republikave dhe krahinave jugosllave, për të siguruar një shumicë pro ruajtjes së federatës.
“Ehhh, na ishte seç na ishte dikur?! Thirrej kudo nga hierarkitë e larta evropiane për të biseduar për planifikimet politike kosovare edhe pse në të vërtetë nuk fitonte asnjëherë besimin e mjaftuar në asnjë palë zgjedhje?! Tanimë nuk po thirret! Megjithatë, kam miq që janë në dijeni se Surroin e kisha menduar dikur për Ministër të Punëve të Jashtme të Kosovës. Por, duhet gjithmonë kujdesi mbi Të, sepse ai mund edhe të keqpërdorë besimin tonë”, thotë Neziri.
Prandaj, Thaçi edhe mund t’ia ketë premtuar këtë ministri, mendon Neziri por, gjithmonë duke e ruajtur idenë se ky far burri realisht nuk duhet të bëhet ministër i asnjë Ministrie.
“Dhe mirë që nuk e bëri, po shihet! Ende i kanë mbetur në kujtesë të pashlyeshme ëndrrat për Titon dhe përrallat që babi i tregonte për heroizmin e Titos. Çuni i babit, çuni i Titos!”, thotë në fund Gani Neziri, njëri nga ata që mori pjesë në djegien publike të librit të Veton Surroit “Këmbët e Gjarprit”. /2L ONLINE/