Shkruan: Arsim Kastrati
Newborn-i ynë ka hyrë në fazën e adoleshencës.
Kriza e tij e adoleshencës nuk është e lehtë. Me nj’anë iluzionet e bujshme e n’anë tjetër gjeopolitika e rënduar në prag të luftës botërore.
Sikur çdo adoleshent tjetër edhe Newborn-ni dëshiron ta arrijë sa më parë pavarësinë e plotë.
Tregues të kësaj faze janë dhe mospajtimet e shpeshta publike që po i ka, me mbrojtëset e tij të fuqishme.
E kuptueshme për adoleshencën kjo gjë por, nuk duhet harruar që ai ka pasur një lindje dhe rritje të vështirë dhe në fakt, sui generis.
Lindja e tij ndodhi falë intervenimit mëshirëplotë të kryeinfermieres Atlantis dhe bashkëpunëtorëve të saj, në vitin 1999 të shekullit të kaluar. Intervenim i jashtëzakonshëm, i vështirë dhe fatlum për Newbornin, shumë thanë se ishte një mrekulli e vërtetë.
Pastaj edhe zhvillimi i deritanishëm i tij do të ishte pothuajse i pamundur, pa ndihmën kryeinfemierës së tij tejet dashamirëse. Në 2008-n ajo i bëri edhe një ndërhyrje të koordinuar dhe të fuqishme diplomatike dhe Bota e njohu Newborn-in. E njohu por jo e tëra, shumë vende e njohin pavarësinë e saj formalojuridike dhe shumë akoma jo, disa madje përpiqen vazhdimisht kundër mëvetësisë dhe ekzistencës së saj. Ndër to më kryesorja Ruslana, kundërshtarja e fortë e Atlantisës, e cila ka filluar një luftë në prag të Europës, luftë kjo që po kërcënon ta përfshijë Botën mbarë!
Duhet të tregojmë këtu se problemin kryesor Newborni e ka me fqinjin e tij verilindor Srxhanin, dhe atëherë kur të çlirohet definitivisht nga pretendimet zaptuese të tij, do ti hapen horizonte të shumta zhvillimi.
Mbase nuk ka harruar Newborni se, pa ndihmën e vazhdueshme të Atlantisës dhe vëlla Albanit, nuk do të mund të çlirohej në 99-tën nga përqafimi asfiksues i Sërxhanit.
Newborni ynë adoleshent i ka edhe vështirësitë e veta të brendshme.
Ai nuk i beson sa duhet vetvetes dhe shpesh i vie ta lërë pas dore forcimin e mëvetësisë së tij e të shkojë e të banojë te vëlla Albani.
Ai ka krizë identiteti, shpesh hidhërohet me klubin europian për ku është nisë dhe ku bënë pjesë edhe Atlantisa e së fundmi nganjëherë edhe me te. I bënë zemra nganjëherë për shtetet e Lindjes nga të cilat pothuajse asnjëherë ndonjë dobi s’ka pas.
Newborn-it nuk i pëlqen vetvetja sa duhet e shumë herë vrapon para kohe nga Europa ku ka më shumë begati, siguri dhe liri.
Ai e ka braktisur shkollën dhe nuk lexon, me bujqësi nuk merret dhe këshillat e Albanit, Atlantisit dhe shoqeve të saja europiane shumë shpesh nuk i merr parasysh.
Ne që sy e zemër i mbajmë tek mirëqenia e tij do ti’a pranojmë dëshirën e madhe për pavarësi sepse në fund të fundit askush nuk e arrin mëvetësinë e tij nëse për çdo gjë vrapon ta pyes kujdestarin e tij, apo jo?
Por, nuk ia rrahim shpatullat nëse eventualisht i shkrep t’i prishë me ka krejt raportet e mira me Atlantisën, me klubin europian apo me Albanin sepse, atëherë do të mendojmë që Newborn-in tonë, ose e ka mashtruar ndonjë fuqi armiqësore ose është vërtet në një krizë të rëndë.
Këto janë kohë të rrezikshme dhe adoleshenti ynë do të ketë nevojë për aleatët dhe farefisin e tij dashamirës.
Iu shtofshin fuqitë, gëzimet e sukseset dhe u maturoftë sa më parë!
Happy Birthday Newborn! /2LONLINE/