/2L ONLINE/ – Njëra ndër pikat e rendit të ditës së seancës së sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ishte edhe pika e rendit të ditës që ka të bëjë me EcoHigjienë, përkatësisht raporti i punës i Komisionit komunal të Aksionarëve të “Eco-Higjiena”. Por, sipas Bujar Nevzatit, anëtar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, nuk janë plotësuar kushtet siç ka premtuar qeverisja e Gjilanit për t’u ftuar kjo seancë.
Ai ka pyetur se pse është thirr kjo mbledhje e jashtëzakonshme, pasi arsyet për të cilat janë marr vesh seancën e kaluar kur është shtyrë e njëjta pikë, nuk janë plotësuar, sepse mungon përfaqësuesi i partnerit austriak që ka 51 për qind të aksioneve në këtë kompani.
Nevzati tha se nuk janë kundër debatit e as nuk duan të politizojnë, por se qeverisja ka dështuar sigurimin e prezencës së palës austriake, si investitorë, Kjo nuk është bërë, sipas Nevzatit, bile ai shprehu dyshimin se pala austriake, përkatësisht përfaqësuesit e tyre këtu, as nuk janë ftuar.
Bujar Nevzati
Andaj, sipas tij, trajtimi i pikës së njëjtë, sikurse që ishte edhe në seancën e kaluar, e që pozita kishte kërkuar ta hiqte nga rendi i ditës, tregon se pozita nuk ka përmbushur obligimin e saj. Përndryshe, pak para seancës edhe ai tha se ka marr një material nga pala austriake, por pamjaftueshme për ta trajtuar atë material në këtë seancë.
Ndërsa, kreu i komunës, Lutfi Haziri ka thënë se kjo seancë e jashtëzakonshëm është kërkesë e vet anëtarëve që seancat e rregullta të mos ngarkohen me rend të ditës, e këtu do të trajtohen pikat e parapara. Duke iu përgjigjur dyshimit të Nevzatit të PDK-së , Haziri tha se i ka bërë ftesë aksionarit Kristian Moser, por ai do të vije në Gjilan tek më 26 tetor për takim të bordit, ndërsa përfaqësuesi i tij këtu, siç dihet, është në arrest shtëpiak.
Lutfi Haziri
Ai tha se po punohet edhe me këshillin e punëtorëve, ndërkohë që ka kërkuar që të mos politizohet kjo ndërmarrje e as të mos ndërhyhet në punën e prokurorisë dhe gjyqësorit. Haziri ka thënë se rasti është nën hetim edhe sa i përket kontratës mbi këtë partneritet.
Valentina Bunjaku – Rexhepi
Edhe kryesuesja e Kuvendit komunal, Valentina Bunjaku – Rexhepi ka bërë të ditur se janë ftuar përfaqësuesit e menaxhmentit dhe këtë e ka bërë edhe me shkrim. Mosprezenca ka të bëjë me faktin që menaxheri i Kompanisë, që është përfaqësues i investitorit austriak, ndodhet në arrest shtëpiak.
Nevzad Isufi
Përndryshe, edhe Nevzad Isufi, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se është e vërtetë se kushti themelor për t’u thirr kjo seancë nuk është përmbushur sepse mungon raporti i pjesës austriake, raporti i investitorit që ka 51 për qind të kompanisë. “Ju si qeveri jeni treguar e paaftë për të përmbushur kushtet për këtë seancë’ ka thënë Isufi. Edhe ai tha se vetëm pak minuta para kësaj seance iu është dhënë raporti nga menaxhmenti i Ecohigjienës dhe nëse veç duhet të debatohet për të, ai ka kërkuar se paku pauzë më të gjatë kur vije te kjo pikë që të njihen me materialin e pranuar.
Isa Agushi
Isa Agushi i LDK-së ka pranuar se debati për EcoHigjienë në seancën e kaluar është shtyrë pikërisht për t’u siguruar edhe pala austriake, që këtu të debatohet, por ai tha se mund të flasim edhe sot sepse atje gjendja është e keqe dhe se do të duhej të debatohej edhe më vonë derisa të merren vendime për t’u shikuar mundësia e vazhdimit, apo edhe e prishjes së këtij partneritetit.
Përndryshe, me shumicë votash u vendos që megjithatë të prezantohe raporti i pjesë së komunës, raporti i punës i Komisionit komunal të Aksionarëve të “Eco-Higjiena” , për t’u njohur me gjendjen momentale në këtë kompani dhe në një seancë tjetër, ku do të sigurohej edhe prania e palës së investitorit austriak, do të dëgjohen të dyja palët dhe do të mund të merren vendime. Seanca po vazhdon /2L ONLINE/