Në seancën e sotme të kuvendit komunal të Gjilanit, ku ndër tjerash u diskutua edhe për raportin financiar për periudhën Janar-Shtator 2020, fjalën e tij e tha edhe Nevzad Isufi, shef i grupit të anëtarëve të KK-së nga Lëvizja Vetëvendosje, transmeton 2LONLINE.com.
Ja fjala e tij e plotë mbi këtë çështje
PËR RAPORTIN FINANCIAR 9 MUJOR PËR VITIN 2020
Për raportin financiar janar-shtator, si raport 9 mujor, mund të them se nuk ka ndryshime të mëdha sa i përket skemës së raportimit, por do ndalem te planifikimi vjetor dhe realizimi i të hyrave vetanake 2020, në faqen 5, ku duket se në këtë periudhë realizimi i të hyrave është 54.23 %, ose 12.96 % më pak në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Duke qenë se ky vit ka specifikat veta për shkak të pandemisë, është e kuptueshme se ngecjet në realizim të grumbullimit të të hyrave të planifikuara do të jenë të pritshme.
Në përgjithësi planifikimet e buxhetit përfundimtar për vitin 2020 nga viti në vit nuk janë me ndryshime shumë të mëdha, por ndryshimet që janë bërë nga planifikimi përfundimtar në vitin 2020 më shumë ndodhin ndryshime nga ndarjet në drejtori, ku njërës drejtori i shtohet, ndërsa tjetrës i zvogëlohet buxheti. Ndonëse të gjithë e dimë se cilat drejtori kanë zakonisht më shumë buxhet, nganjëherë ndodhin edhe befasira, prandaj për këtë qëllim unë do të përqendrohem sot në tabelën e shpenzimeve për periudhën janar-shtator 2020, në faqen 17, për tu ndalur te kategoria e mallrave dhe shërbimeve, e cila të shumtën shërben si një kategori që plotëson zbrazëtitë, mungesat si dhe mbulon dhe plotëson ato që nuk janë futur në planifikim. Mbase kjo varet nganjëherë edhe nga vet kreu i ekzekutivit, se cili është raporti me drejtorin e caktuar, kështu së paku mund të krijohet një percepcion, duke e parë ndarjen e buxhetit në disa drejtori.
Kështu, sivjet Drejtorisë së Inspeksionit i janë ndarë 340.000 euro për gjithë vitin në kategorinë mallra dhe shërbime, ndërsa për periudhën 9 mujore nga kjo kategori, së bashku me 18 punëtorët e saj ka shpenzuar rreth 304 mijë euro, duke u krahasuar kështu edhe me drejtoritë që kanë shumë numër më të madh punëtorësh si p.sh. drejtoria e administratës me 42 punëtorë, ka vetëm 260.000€ ose 80.000€ më pak se D. e inspeksionit.
Pra kjo drejtori sa i përket buxhetit për mallra dhe shërbime, radhitet menjëherë pas Drejtorisë së Arsimit, D. së Shëndetësisë dhe D. së shërbimeve publike, ndërsa numri punëtorëve në të gjitha këto drejtori tejkalon nr. 2750.
Pra do të doja një sqarim, në çka janë shpenzuar gjatë këtij 9 mujori 304.209.74 euro në drejtorinë e inspeksionit, në kategorinë mallra dhe shërbime, apo keni angazhuar punëtorë me kontratë në vepër, apo keni paguar punët shtesë, jashtë orarit të inspektorëve, apo ku është shpenzuar i gjithë ky buxhet, që është gati sa tri herë më shumë se pagat vjetore të stafit të punëtorëve të kësaj drejtorie. Besoj që drejtori i Inspeksionit dhe drejtori I financave më kanë dëgjuar dhe do të mund të më japin ndonjë sqarim.
Një vëmendje më ka tërhequr edhe faqja 18, te rekapitulimi i shpenzimeve sipas kodeve ekonomike.
Po përmend kodin 11400, punëtorët me kontratë, ku nuk kemi të asnjë shpenzim, që nënkupton se për 9 muaj nuk kemi pasur asnjë kontratë të rregullt pune.
I kemi edhe disa kode, të cilat kanë 0 shpenzime, sit e kodi 11125, shpenzime të udhëtimit brenda vendit, transporti i nxënësve, klubeve sportive, SHKA etj. Po ashtu edhe disa kode kanë 0 shpenzime, si te akomodime-udhëtime zyrtare brenda vendit arsim, s’ka asnjë shpenzim, ashtu siç nuk ka asnjë shpenzim ne kodin 13133, udhëtime brenda vendit.
Përmenda këto kode, ku nuk kemi asnjë shpenzim për të vënë një paralele me një situatë krejt tjetër me shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve në fq, 18, në kodet 13240- te shpenzimet e udhëtimit jashtë vendi, ku kemi 3.190 €, në kodin 13141 – mëditje udhëtimi jashtë vendi, 1499.40€ si dhe bashkë kodin 13142-akomodim dhe kodin 13143-shpenzime tjera e udhëtimit zyrtar jashtë vendit bëjnë 5.222.88€
Pra duket se kemi pasur një kufizim të plotë sa i përket udhëtimeve zyrtare brenda vendit, por kjo nuk ka vlejtur për udhëtimet jashtë vendit, të cilat edhe kanë qenë më të mëdha e besa edhe më të kushtueshme, prandaj do të ishte mirë ta dimë për çfarë na kanë shërbyer këto udhëtime jashtë vendit dhe çfarë ka fituar komuna jonë nga këto udhëtime të kryetarit, deri sa ato kanë qenë zyrtare.
Po ashtu te kategoria e mallrave dhe shpenzimeve sipas kodeve ekonomike, në fq. 19, në kodin 13460-shërbimet kontraktuese tjera ( kontratë në vepër, bartja e veturave, shoqata e zjarrfikësve, mirëmbajtja dimërore), për këta 9 muaj kanë një shpenzim prej 422.529.66 €, në të gjitha drejtoritë, nga të cilat prin D. e inspeksionit me 295.177.74€, pastaj D. e Mbrojtjes e shpëtimit me 41.774.86€, pastaj vjen në radhë Zyra e kryetarit me 39.113.29 €. Duke qenë se në këto drejtori si shërbim i parë kontaktues përmendet kontrata në vepër, të cilat qëllimshëm futen në këtë kategori shpenzimesh, në mënyrë që të mos dihet cili është numri i saktë i tyre. Kjo nënkupton që kur është fjala për numrin e të punësuarve me kontratë në vepër nuk kemi transparencë as në raportet gjashtëmujore e as në ato vjetore të kryetarit , por as në raportet financiare, si në rastin konkret. Të shumtën numrin e të punësuarve me kontratë në vepër e marrim vetëm në raportin e auditimit të përgjithshëm. Prandaj, duke qenë se këta punëtorë paguhen nga Drejtoria për financa, është mirë ta dimë sa është numri i punëtorëve me kontratë në vepër nga se nga shumat e paguara në kategorinë e lartpërmendur janë të mëdha.
Për shpenzime do të përmend edhe zyrën e Kryetarit në fq. 19, te kodi 13501 mëditje, kemi shumën 6.642.00, të cilave po t’u shtohen edhe shpenzimet në kodin 13610 – furnizime për zyrë në shumën 13.606,84€, arrijnë shumën 20.245,85€, që është tregues se zyra e Kryetarit është mjaftë dorëlëshuar sa i përket shpenzimeve. Kjo përforcohet edhe me shpenzimet në kodin 14010- mirëmbajtja e automjeteve në shumë 2.8833,55€. Unë nuk e di se sa vetura ka në shërbim zyra e Kryetarit, por më duken shpenzime relativisht të mëdha, duke besuar se zyra e kryetarit nuk do të duhej të kishte shumë vetura në shfrytëzim.
Kur këtyre shpenzimeve u shtohen edhe shpenzimet për reklama, konkurse e informim publik, por edhe shpenzimet për dreka zyrtare te kodi 14310, në shumë 8.967,55 €, tregohet se përkundër pandemisë e masave izoluese, Zyra e Kryetarit është treguar shumë efikase në shpenzime, duke shpenzuar gjithsejtë 114.332,18€, që bëjnë rreth një të tretën e këtij buxheti 9 mujor, e që d.m.th. se kryetari kaherë e ka harruar dietën, për të cilën dikur na fliste.
E në anën tjetër duke qenë kaq dorëlëshuar në shpenzime, kryetari nuk ka qenë një model shumë i mirë për t’u ndjekur nga drejtoritë, sa i përket shpenzimeve.
Pra në këtë raport kemi shpenzimet të pakursyera në gjëra të vogla, ndërsa kursejmë në gjëra ku shpenzimi kërkohet si te shpenzimet kapitale. Kështu gjatë këtij 9 mujori nuk ka shpenzime kapitale në asnjë ndërtim banimi, në asnjë objekte arsimore, në asnjë objekt shëndetësor, objekt kulturor a objekt a fushë sportive apo edhe në ndonjë park, qjë që do të ishte shumë e dobishme dhe do të konsiderohej si sukses, por vetëm nëse këto do të ndodhnin.
Përqendrimi im në këtë raport, kryesisht në kategorinë e shpenzimeve te mallrat dhe shërbimet, është bërë me qëllim që dihet më saktë, të ketë më shumë transparencë për këtë lloj buxhetimi, i cili nuk është i vogël, por arrin të jetë po thuajse ekuivalent me të hyrat vetanake brenda një viti, dhe fakti tjetër se përmes kësaj kategorie shpenzimesh janë bërë pagesa për punëtorët me kontratë në vepër, e pagesa tjera, të cilat kanë edhe kodet e tyre financiare.